Last Updated on 14/04/2026 by Anisa
Në ditën e dytë të Samitit të Diasporës, kryeministri Edi Rama u është drejtuar të gjithë shqiptarëve që e ndërtuan jetën jashtë, me mesazhe të forta për guximin, forcën dhe arritjet e tyre.
Rama tha se ata ndërtuan jetën dhe karrierën jashtë vendit, duke mposhtur stereotipet dhe duke dëshmuar me punë dhe fisnikëri vendin që meritonin të kishin.
“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj, Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajtën gjuhën, shpresën kokëfortë dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare.
Sot kur bota është me e ndërlidhur se kurrë dhe kur fjala si kurrë më parë vjen në çast sa hap e mbyll sytë nga një kontinent në tjetrin, ju jeni zgjatimi i Shqipërisë kudo në botë.
Ka pasur një kohë kur shqiptarët iknin nga atdheu duke i mbajtur zemrat si gurë mbi shpinë, duke marrë me vete guximin e kujt s’ka asgjë për të humbur dhe dhimbjen e ndarjes me gjithçka. Por atë që historia deri dje e quante ikje të pangushëllueshme koha e ka shndërruar në një lidhje të pazëvendësueshme, ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë.
Sot diaspora shqiptare nuk është histori ikje, por e shumëfishimit të forcave të kontributit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë.
Shqiptarët ndërtuan jetë, familje karrierë, sipërmarrje, në vende që nisën t’i njohin ata jo përmes stereotipeve, por përmes dobisë, qëndrueshmërisë dhe fisnikërisë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë bëri një paralelizëm me këmbënguljen e shqiptarëve që emigruan në botë për t’iu hapur dyert, dhe rrugëtimit të Shqipërisë me po aq këmbëngulje për t’u bërë pjesë e BE.
“Ju këmbëngulët në pritje, duke qenë gati për derën kur të hapet, edhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati kur dera u hap dhe për këtë arsye hapi kapitujt për anëtarësim më shpejt se çdo vend tjetër”, tha Rama.
Në samitin e diasporës, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te rruga e Shqipërisë drejt BE-së. Rama tha se dikur Shqipëria ishte e damkosur nga BE si atdheu pandëshkueshmërisë, por duke theksuar se sot ky mit ka rënë. Rama tha se dot drejtësia është e pavarur dhe socialistët me vullnet të plotë i dorëzuan shpatën.
“Shqipëria ishte e damkosur nga BE si atdheu i pandëshkueshmërisë, ku ligji vepronte vetëm ndaj të dobëtve dhe ku çdo i fortë sundonte ligjin. Sot pandëshkueshmëria është mit i të kaluarës. Sot Shqipëria është vendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur, siç nuk ka qenë qysh në krye të herës nga 1912, deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj për të bërë drejtësi të barabartë për të gjithë dhe pa kursyer askënd.
Atëherë Shqipërisë i mbyllej dera e negociatave për anëtarësim në BE, sot i kemi çelur të gjithë kapitujt e negociatave dhe e kemi bërë në një kohë rekord për vetëm 11 muaj. Njësoj si ju, kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe kur askush nuk kishte kohë dhe respekt e besim, por ju këmbëngulnit dhe pasi shkonit në darkë dhe fshinit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes për të vazhduar, për të qenë gati për derën kur të hapej.
Edhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati në momentin kur dera u hap dhe i hapi kapitujt më shpejt se çdo vend tjetër në rrugën e anëtarësimit para saj. Kur ju erdhët në samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg, sot e ardhmja është një tryezë ku jemi të ulur çdo ditë ne dhe KE me ambicien e përbashkët për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.
Sot nuk duket më një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë që zë vend si një fjalë e përditshme ajo që Ismail Qemali tha: Shqipëria do të bëhet. Në gojën e atit të pavdekshëm, ajo fjali nuk ishte përshkrim, por një besim që kaloi nëpër breza mes peripecish, dështimesh, ringritjesh, një besim që sot, si kurrë ndonjëherë, ka marrë trajtën konkrete të shtetbërjes europiane të Shqipërisë dhe të objektivit që tanimë nuk parashtrohet, por shihet, preket me sy më afër se kurrë, për të çuar Shqipërinë në tryezën europiane si të barabartë mes të barabartësh në 2030“, tha Rama.
