Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha e cilësoi Samitin e Diasporës si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë në një kohë kur vendi po avancon në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij, ai theksoi se marrëdhënia me diasporën ka evoluar në një lidhje të dyanshme, ku largësia nuk e dobëson, por e forcon bashkëpunimin. Sipas tij, kjo lidhje kërkon më shumë vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm.
Hoxha nënvizoi rëndësinë e gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si pjesë thelbësore të identitetit kombëtar. “Gjuha shqipe nuk është thjesht mjet komunikimi, por kujtesë dhe identitet,” u shpreh ai, duke bërë thirrje që ajo të zërë vendin që meriton në familjen evropiane.
Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e diasporës ndër vite, duke e cilësuar historinë e saj si një histori sakrifice dhe përkushtimi, ndërsa çdo arritje e saj është një vlerë e shtuar për Shqipërinë.
Në përfundim, Hoxha theksoi se Samiti i Diasporës nuk është thjesht një ceremoni, por një platformë konkrete bashkëpunimi për të kthyer synimet e përbashkëta në veprime reale.
“Samiti i Diasporës vjen në një moment kyç ndërsa bota rreth nesh po ndryshon në mënyrë marramendëse në rrugën drejt BE.
Për shumë vite marrëdhënia jonë me diasporën sot është një rrugë me dy kahje. Largësia nuk e dobëson lidhjen por e forcon atë. Por kjo lidhje kërkon vëmendje.
Gjuha Shqipe është ADN-ja jonë nuk është vetëm një mjet komunikimi po është kujtesë, identitet. Përpjekjet për gjuhën janë përpjekje për të qenë vetvetja.
Forca jonë ka qenë të jemi të jhapur të mësojëm gjuhë të tjera por të mos harrojmë gjuhën tonë. Gjuhën Shqipe ta çojmë në vendin që meriton në familjen e madhe europiane.
Historia e Diasporës është histori sakrifice dhe përkushtimi. Çdo arritje e juaja është një dritë më shumë për Shqipërinë.
Ky samit nuk është një ceremoni është një laborator pune që synimi i përbashkët të kthehet në bashkëpunim”, tha Hoxha./Kb
