Last Updated on 14/10/2026 by Monika
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga protestat në Tiranë, duke paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë dhuna dhe shkatërrimi i pronës publike.
Përmes një reagimi, Koçiu rikujton trazirat e së kaluarës, duke theksuar se Shqipëria e ka paguar shtrenjtë faturën e kaosit, me dëme ndaj institucioneve, shkatërrim të pronës dhe pasoja afatgjata për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.
Duke iu referuar pamjeve të dhunës, flakëve dhe përplasjeve në kryeqytet, zëvendëskryeministrja vlerëson se situata kërkon qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi.
Në reagimin e saj, Koçiu thekson se institucionet janë pasuri publike, bizneset përfaqësojnë punën e qytetarëve, ndërsa siguria është një e drejtë që duhet garantuar për të gjithë.
Në përfundim, zëvendëskryeministrja nënvizon se ndryshimi nuk duhet të vijë përmes shkatërrimit, por përmes ndërtimit, përparimit dhe ruajtjes së arritjeve të vendit./mxh
