Që prej ditës së sotme, Shqipëria ndalon zyrtarisht importin e mishit nga Brazili. Ky vendim vjen pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishte njoftuar disa ditë më parë se masa merret pas heqjes së këtij vendi nga lista e vendeve të autorizuara nga BE-ja.
Vendimi për ndalimin e importit është marrë për shkak të dështimit për të ofruar garancitë e nevojshme të sigurisë për përdorimin e antibiotikëve dhe stimuluesve për rritjen e kafshëve. Megjithatë, ngarkesat e mishit të shpendëve dhe gjedhit, me certifikata të lëshuara para 3 shtatorit, do të vazhdojnë të pranohen edhe nëse mbërrijnë pas kësaj date.
Prej më shumë se dy dekadash, Shqipëria blen mish dhe nënprodukte të tij nga Brazili, duke bërë që ky shtet të renditet i pari në listë sa i takon importeve të këtij produkti. Sipas përllogaritjeve, bazuar në të dhënat e INSTAT, nga janari deri në qershor janë blerë në total 23 mijë tonë mish, me vlerë 46.3 milionë euro, ku 34.6% e këtyre furnizimeve ishin nga Brazili./ad
