Last Updated on 29/04/2025 by adminfjala
Një dështim për Bashkimin Europian e ka quajtur komisionerja e zgjerimit Marta Kos nëse asnjë vend kandidat nuk do të anëtarësohet në bllok brenda vitit 2029.
Diplomatja e lartë ka theksuar se situata gjeopolitike i jep edhe më shumë rëndësi procesit të zgjerimit.
“Jam e sigurt që ne mund ta arrijmë këtë brenda kësaj presidence. Ne mund ta arrijmë këtë me Malin e Zi. Me Shqipërinë gjithashtu mund ta kryejmë procesin teknik brenda vitit 2027. Them nga ana teknike sepse kjo është procedura e negociatave dhe është në dorë të vendeve kandidate për reformat, nëse duan të bëhen anëtare”, tha Marta Kos.
E pyetur nga gazetari i Radios Europa e Lirë, nëse Shqipëria dhe Mali i Zi do të jenë anëtarët e 28 dhe 29 deri sa komisionerja të mbarojë mandatin e saj, përgjigja ishte PO.
“Mund të jetë edhe Moldavia gjithashtu, e cila është një studente shumë e mirë mes grupit. Edhe ata e ndiejnë këtë moment historik për mundësinë”, u shpreh ajo.
Sa i takon situatës në rajon, Kos tha se janë të vështira bisedimet me liderë si presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Dodik, ndërsa përsëriti se normalizimi i marrëdhënieve mes tyre është parakushti kryesor për proceset e Kosovës dhe Serbisë drejt BE./E.S