Një protestë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, do të mbahet pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Protesta nën sloganin “Shqiptaria është me Shkupin”, do të nisë në orën 17:00. Sipas informacioneve, protesta do të vijojë me një marshim drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut.

“Zëri ynë nuk do të ndalet, ashtu siç nuk do të ndalet as kërkesa jonë pa kompromis për zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Më 26 maj mblidhemi në Tiranë në orën 17:00 dhe pas saj në Prishtinë, e më pas, bashkë si ‘të paedukatë’ që na quajnë, do të rikthehemi sërish në Shkup, kësaj here para Qeverisë që shkel mbi të drejtat tona me arrogancë. Ne nuk do të zmbrapsemi. Ne nuk do të heshtim. Gjuha shqipe nuk negociohet”, njoftoi pak ditë më parë një nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Kujtojmë se më 18 maj, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, zhvilluan protestën e dytë në Shkup për gjuhën shqipe, ku të pranishëm ishin mijëra studentë nga të gjitha trevat shqiptare.
Studentët kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Protesta vjen si shprehje e revoltës së studentëve pas refuzimit të kërkesës së tyre nga ministri aktual i Drejtësisë, Igor Filkov.
Sipas Ligjit për Provimin e Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut, nuk ekziston ndonjë kufizim që detyron dhënien e provimit vetëm në gjuhën maqedonase. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2019, detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin e gjuhës shqipe nëse të paktën 20% e qytetarëve flasin këtë gjuhë.
Neni 2 dhe Neni 5 i këtij ligji përcaktojnë qartë që institucionet shtetërore dhe gjykatat duhet të mundësojnë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha procedurat zyrtare. /kb
