Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet se administrata amerikane po shqyrton përdorimin e armëve bërthamore ndaj Iranit, pas komenteve të bëra nga zëvendëspresidenti JD Vance gjatë një vizite në Hungari.
Vance deklaroi se pret një përgjigje nga Teherani brenda mbrëmjes lidhur me një ultimatum të SHBA-së, duke theksuar se “kemi mjete që ende nuk i kemi vendosur të përdoren” dhe se presidenti është i gatshëm të veprojë nëse Irani nuk ndryshon kurs.
Këto komente u interpretuan nga disa analistë dhe media si një aludim për opsione ekstreme, përfshirë armët bërthamore. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë përmes llogarisë së saj zyrtare “RapidResponse 47”, duke i cilësuar këto interpretime si të pasakta.
“Fjalë për fjalë asgjë nga ato që tha zv.presidenti nuk nënkupton armë bërthamore,” thuhej në reagim, i cili gjithashtu kritikoi ashpër spekulimet në media.
Zyrtarët amerikanë theksojnë se presioni ndaj Iranit mbetet pjesë e strategjisë diplomatike dhe se çdo veprim i mundshëm do të jetë në përputhje me interesat e sigurisë kombëtare dhe aleatëve të SHBA-së./mxh
