Last Updated on 16/10/2026 by Anisa
Të miturit dhe adoleshentët po bëhen pjesë e protestave, duke lënë pas orët e mësimit për t’iu bashkuar tubimeve. Pas bojkotit dhe largimeve të nxënësve nga shkollat, institucionet arsimore kanë kërkuar verifikim të imtësishëm të mungesave dhe dokumentim të çdo rasti.
Nxënësit që nuk janë paraqitur sot në mësim duhet të dorëzojnë ditën e hënë një raport mjekësor ose një letër justifikuese të firmosur nga prindi. Ky është njoftimi që u është përcjellë familjeve, në një kohë kur protestat e ditëve të fundit kanë përfshirë edhe nxënës të mitur.
Mësuesve kujdestarë u është kërkuar të kontaktojnë individualisht prindërit, për të konfirmuar arsyen e mungesës së secilit nxënës. Ndërkohë, drejtuesit e shkollave duhet të monitorojnë procesin dhe të sigurojnë që mungesat të raportohen saktë e të dokumentohen.
“Asnjë mungesë nuk duhet të mbetet e pakonfirmuar dhe e padokumentuar”, thuhet në porosinë drejtuar institucioneve arsimore, ku kërkohet angazhim i drejtpërdrejtë dhe komunikim me çdo familje.
Nga rruga në protestë, te bankat e shkollës: ndërsa një pjesë e nxënësve i janë bashkuar tubimeve, shkollat po përqendrohen te verifikimi i pjesëmarrjes në mësim. Tashmë, prindërve u kërkohet të konfirmojnë arsyet e mungesave, ndërsa mësuesit duhet të dokumentojnë çdo rast.
Të hënën pritet që nxënësit që kanë munguar të paraqesin justifikimet përkatëse, ndërsa shkollat të vijojnë ndjekjen e procesit deri në konfirmimin e plotë të situatës për secilin prej tyre.
Njoftimi:
Në kushtet e mungesave të konstatuara në disa institucione arsimore, kërkohet vëmendje dhe përgjegjshmëri maksimale nga ana juaj.
Për çdo nxënës që mungon në shkollë, duhet të sigurohet konfirmimi i drejtpërdrejtë nga prindi dhe dokumentimi i çdo rasti të mungesës.
Mësuesit kujdestarë duhet të komunikojnë individualisht me çdo prind, për të konfirmuar arsyen e mosparaqitjes së fëmijës në shkollë.
Drejtuesit e shkollave duhet të monitorojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë këtë proces dhe të sigurojnë raportim të saktë e të dokumentuar.
Asnjë mungesë nuk duhet të mbetet e pakonfirmuar dhe e padokumentuar. Kjo është një detyrë që kërkon angazhim të drejtpërdrejtë, komunikim me çdo familje.
Ju lutem, trajtojeni këtë çështje me prioritet maksimal dhe garantoni ndjekjen e saj deri në konfirmimin e plotë të situatës për çdo nxënës.
Faleminderit për bashkëpunimin !/fjala.al-km
