Last Updated on 14/06/2026 by Kesjana
Elon Musk ka shumë njerëz për të falënderuar që u bë trilioneri i parë në botë, inxhinierët e kompanive të tij që prodhuan përparime teknologjike, investitorët e Wall Street-it që ishin të gatshëm ta mbulonin me miliarda dollarë pavarësisht financave të diskutueshme, por mbi të gjitha, taksapaguesit amerikanë dhe politikëbërësit qeveritarë.
“Nuk do të ekzistonin (Tesla dhe SpaceX) po të mos ishte qeveria,” tha Ross Gerber, CEO i firmës së investimeve Gerber Kaëasaki dhe një nga investitorët e hershëm në Tesla.
Qeveria federale i dha SpaceX më shumë se 500 milionë dollarë grante në vitet e para të saj. Dhe këta 500 milionë dollarë janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që Tesla përfitoi nga grantet qeveritare, huatë, kontratat dhe politikat rregullatorë, shkruan CNN.
Kjo nuk do të thotë se suksesi i SpaceX dhe vlerësimi prej rreth 1.5 trilionë dollarësh i Tesla-s janë tërësisht rezultat i shpenzimeve federale, por të dyja kompanitë ishin në vështirësi si startup-e përpara se të merrnin subvencione nga taksapaguesit.
Paratë e hershme e shtynë përpara SpaceX
Pyetja se sa nga pasuria prej 1 trilion dollarësh e Musk-ut vjen nga qeveria nuk është aq e thjeshtë sa duket. Sipas disa matjeve, vetëm një pjesë e vogël e pasurisë së tij vjen falë taksapaguesve. Kompanitë e tij kanë marrë “vetëm” dhjetëra miliarda dollarë nga kontratat dhe programet qeveritare. Por nuk ka rëndësi vetëm shuma e parave, ka rëndësi edhe koha kur ato u morën.
Përfitimi i parë i madh i SpaceX ishte një grant prej 278 milionë dollarësh nga NASA në vitin 2006 për zhvillimin e sistemit të raketave Falcon dhe kapsulës Dragon. Programi i Space Shuttle po përfundonte dhe SHBA-së i duhej një mënyrë e re për të transportuar astronautë dhe ngarkesa në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Ky ishte i pari nga më shumë se 500 milionë dollarë grante që SpaceX do të merrte, sipas të dhënave të PitchBook, e cila ndjek vlerësimin e kompanive private.
“Kjo përbënte rreth gjysmën e kapitalit që ata kishin mbledhur deri në atë moment,” tha Casey Dreier, shef i politikave hapësinore në Planetary Society, një grup interesi publik që promovon fluturimet hapësinore, përpara IPO-së së SpaceX. “Ky ishte një angazhim i konsiderueshëm që NASA ofroi.”
Dhe ndërsa NASA ka përfituar nga suksesi i SpaceX, me dhjetëra njerëz të transportuar në stacionin hapësinor me raketat e kompanisë, ajo nuk përfitoi në të njëjtën mënyrë si investitorët privatë.
“Njerëzit që vendosën gjysmën tjetër të kapitalit në atë periudhë janë gati të bëhen multimiliarderë,” tha Dreier.
Dhe mbështetja nga NASA nuk u ndal me grantet. Vetë Musk ka pranuar se kompania ishte pothuajse pa para në fund të vitit 2008 kur mori një kontratë vendimtare dhe të paprecedentë prej 1.6 miliardë dollarësh nga agjencia amerikane e hapësirës.
“Fakti është se ne nuk do të mund ta kishim nisur SpaceX, as nuk do të kishim arritur deri në këtë pikë, pa ndihmën e NASA-s,” tha Musk në vitin 2012 kur kompania lëshoi për herë të parë raketën Falcon 9 drejt ISS.
Rregulloret e mbajtën gjallë Tesla-n
Në krahasim, Tesla ka marrë kontrata qeveritare relativisht modeste në të kaluarën. Por ajo mori shumë ndihmë për të nisur rrugëtimin e saj, ndihmë vendimtare.
Në janar të vitit 2010, Tesla kishte shitur më pak se 2,000 makina gjatë gjithë historisë së saj, pothuajse të gjitha automjete elektrike të bazuara në makina sportive të Lotus, një kompani britanike relativisht pak e njohur. Më pas Tesla mori një hua me interes të ulët prej 465 milionë dollarësh nga Departamenti Amerikan i Energjisë, vetëm disa muaj para ofertës së saj fillestare publike. Me këtë hua, kompania zhvilloi sedanin Tesla Model S, suksesin e saj të parë të madh. Tesla e shlyeu huanë më herët se afati nëpërmjet të ardhurave nga një shitje shtesë aksionesh në vitin 2013.
Një kreditim tatimor prej 7,500 dollarësh për blerësit e automjeteve elektrike i lejoi kompanisë dhe prodhuesve të tjerë të shisnin automjete elektrike të prodhuara në Amerikë me një çmim më të lartë sesa do të lejonte ndryshe tregu.
Blerësit e Tesla-s përfituan kredi tatimore federale me vlerë të vlerësuar prej 3.4 miliardë dollarësh përpara se kjo lehtësi të përfundonte në vitin 2019. Më pas Tesla uli çmimet për të ruajtur kërkesën. Duke parë sa shumë iu desh të ulte çmimet, kredia tatimore ka të ngjarë t’i ketë sjellë Tesla-s më shumë se 1 miliard dollarë të ardhura shtesë nga makinat e shitura në SHBA sesa do të kishte arritur pa këtë kredi.
Kredia tatimore u rikthye në vitin 2023 si pjesë e Aktit për Uljen e Inflacionit të administratës Biden. Por republikanët në Kongres dhe administrata Trump e përfunduan këtë kreditim për të gjithë industrinë më 30 shtator 2025.
Megjithatë, mbështetja më e rëndësishme financiare për Tesla-n nuk erdhi nga kreditë tatimore për blerësit e automjeteve elektrike. Ajo erdhi nga një program qeveritar për reduktimin e emetimeve të karbonit në industrinë automobilistike.
Sipas këtij kuadri rregullator, kompanitë automobilistike duhej të përmbushnin kufijtë e emetimeve. Nëse nuk i përmbushnin, duhej të blinin “kredi emisionesh” nga kompanitë që ishin në përputhje me kufijtë. Dhe e vetmja kompani që gjithmonë ishte nën kufijtë e emetimeve dhe kishte kredi për të shitur ishte Tesla, pasi të gjitha automjetet e saj janë elektrike.
Kjo do të thoshte se pothuajse çdo kompani tjetër automobilistike në SHBA ishte e detyruar të derdhte para në arkat e Tesla-s si rezultat i këtyre rregulloreve. Shitjet e këtyre kredive përbënin gati 25% të të ardhurave të kompanisë në vitin 2008 dhe 10% të të ardhurave të saj gjatë pesë viteve të ardhshme. Midis viteve 2008 dhe 2019, shitjet e kredive rregullatore gjeneruan më shumë se 2 miliardë dollarë për kompaninë. Tesla mund të kishte dështuar pa këto fonde, një fakt që as vetë Elon nuk e ka mohuar.
Në një postim në vitin 2020, Musk pranoi se Tesla ishte shumë pranë falimentimit edhe në vitin 2019. Edhe pasi i shpëtoi këtij rreziku, vetëm në vitin 2021 Tesla arriti të regjistronte fitim pa ndihmën e shitjes së kredive.
Që nga viti 2019, shitjet e kredive rregullatore kanë sjellë edhe 12.3 miliardë dollarë të tjerë, ku pothuajse e gjithë kjo shumë ka shkuar drejtpërdrejt në fitimin neto të kompanisë. Megjithatë, këto të ardhura ka të ngjarë të zhduken në të ardhmen, pasi republikanët në Kongres e kanë eliminuar praktikisht programin.
Por vlera e Tesla-s nuk lidhet më shumë me makinat e saj. Përkundrazi, çmimi i aksioneve të kompanisë bazohet në premtimin e Musk-ut se Tesla së shpejti do të ofrojë gjerësisht “robotaksi” vetëdrejtuese dhe robotë humanoidë, një premtim që ai është përpjekur prej kohësh ta realizojë, por me pak sukses.
Besimi i Wall Street-it tek Musk është arsyeja kryesore pse pasuria e tij ka arritur nivele të paimagjinueshme më parë, të paktën për momentin, për sa kohë që aksionet e kompanive të tij mbeten pranë niveleve aktuale. Por ky besim ekziston sepse, në fillimet e bizneseve të tij, kur kishte më shumë nevojë për mbështetje financiare, ishte qeveria amerikane, jo Wall Street-i, ajo që ofroi ndihmën e nevojshme.
“Në fund rezultoi se ishte shumë mirë për qeverinë, Amerikën dhe shoqërinë që këto kompani ekzistojnë, kështu që nuk pendohem që qeveria i dha atij para,” tha Gerber, investitori i hershëm i Tesla-s që tani është kritik i Musk-ut. “Gabimi që bëri qeveria ishte se duhej të kismet marrë një pjesëmarrje në kapital.”/kb
