Last Updated on 18/10/2025 by Kesjana
Nga Klevis Bakillari
Sidomos në politikën shqiptare,zhurma zë vendin e fjalës; imazhi zë vendin e përmbajtjes. Elisa Spiropali diti të ndërtojë profilin që ngjall debat pa pasur nevojë për polemikë.Diti të shfaq një rol që shkonë përtej rutinës politike. Me vijimësi, në heshtje dhe me një shkathtësi të rrallë komunikimi, ia arriti të tejkalojë kufijtë e portofolit institucional, duke u bërë më shumë se një ministre. Një figurë rezonuese në protokollin e diplomacisë tonë. Zë që shfaqet në tryezat ndërkombëtare me një ton të vetin, të përkorë, të ndërtuar me kujdes.
Takimet me homologë, pjesëmarrjet në forume europiane, përfaqësimi në samite dhe konferenca të larta – të gjitha e kanë ndërtuar, hap pas hapi, si një figurë të identifikueshme të shtetit shqiptar. Nuk është vetëm një zë politik i brendshëm, por edhe një imazh përtej kufijve: një përfaqësuese që artikulon me gjuhë të qetë e të civilizuar interesat e një vendi që shpesh perceptohet si i zhurmshëm në brendësi, por që kërkon të duket serioz në jashtësi.
Tashmë Spiropali i ka dhënë një fytyrë publike një pushteti të personalizuar, që e di mirë rolin e komunikimit politik në formësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Ajo është, në një farë mënyre, fytyra diplomatike e butë e një qeverisjeje që shpesh perceptohet edhe si e fortë, madje e ashpër në tonet e saj të brendshme.
Në skenën ndërkombëtare, Spiropali luan me një gjuhë të dyfishtë: e qartë për të huajt, por e lexueshme për vendasit. Ajo përdor fjalor të përzgjedhur, diplomatik, që shfaq një Shqipëri të bindur për rrugën e saj europiane, por njëkohësisht të vetëdijshme për sfidat që e mbajnë ende pezull në pragun e Unionit. Në këtë sens, ajo është një prej figurave që përfaqëson më qartë atë që quhet “shqiptarizëm institucional” – një përpjekje për të ndërtuar një identitet shtetëror që përtej retorikës, kërkon pranueshmëri.
Por, suksesi i Spiropalit në komunikim nuk është vetëm rezultat i gjuhës apo i elegancës; është edhe produkt i një besimi politik të fortë nga ana e Kryeministrit. Ai e ka vendosur në pozicione kyçe të përfaqësimit publik, duke e bërë pjesë të pandashme të imazhit qeveritar. Ky bashkëfunksionim politik, në sy të opinionit publik, ka lindur perceptimin e një binomi: një pushtet që flet me zë mashkullor e qeveris me ton femëror. Dhe në këtë binom, Spiropali ka ditur të krijojë një vend që nuk është i dhuruar, por i ndërtuar me durim, me përpjekje, me një prani që rritet përditë në sferën ndërkombëtare.
Në çdo dalje të saj, ajo shfaq një kujdes estetik dhe verbal që rrallë shihet në politikën shqiptare: që nga mënyra si ndërton fjalinë, deri te mënyra si përshëndet. Kjo e bën figurën e saj të lexueshme si simbol të një brezi të ri politikanësh që e shohin diplomacinë jo si vend takimesh, por si hapësirë për ndërtim imazhi kombëtar. Një imazh që e kërkon Shqipëria e sotme, mes dilemave të integrimit dhe realitetit të tranzicionit që s’po mbaron.
Mund të thuhet se po bëhet “Zonja e Parë” e Shqipërisë në kuptimin simbolik,si figurë që mbart elegancën, komunikimin dhe praninë publike të një “zëri femëror” të shtetit. Një fytyrë që flet për Shqipërinë e re, për diplomacinë me buzëqeshje, për shtetin që kërkon të kuptohet dhe të pranohet. Dhe në një kohë kur pushtetet janë bërë aliazh i imazhit dhe idesë, Elisa Spiropali po e shkruan këtë imazh me një stil që është njëkohësisht personal dhe institucional; një ekuilibër i rrallë në politikën shqiptare./kb
