Steve Witkoff dhe Yuri Ushakov, ish-biznesmeni amerikan dhe diplomati i lartë rus, rezultojnë të kenë qenë figurat kyçe pas hartimit të planit 28-pikësh të paqes për Ukrainën, propozim që administrata amerikane e paraqiti si nismë të vetën, por që në fakt është bazuar gjerësisht në një draft rus. Skandali nisi me një telefonatë vetëm 5-minutëshe më 14 tetor, një ditë pasi Donald Trump u bë presidenti i parë amerikan që nga viti 2008 që iu drejtua Knesset-it izraelit, i mbështetur nga suksesi i marrëveshjes së paqes në Gaza.
Sipas transkriptimit të publikuar nga Bloomberg, Witkoff-i, i dërguari special i Trump, i sugjeron Ushakov-it që të punojnë mbi një plan të ngjashëm për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai i thotë se Rusia “ka dëshiruar gjithmonë një marrëveshje paqeje” dhe i propozon që Putin-i të telefonojë Trump-in për ta përgëzuar për marrëveshjen e Gazës, para vizitës së planifikuar të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Witkoff-i shkon edhe më tej, duke lënë të nënkuptohet se një marrëveshje do të kërkonte “Donetsk-un dhe një shkëmbim territoresh”.
Ushakov-i pranon idenë dhe premton se Putin-i do ta telefonojë Trump-in, gjë që ndodh më 16 tetor. Gjatë bisedës, Putin-i arrin të sigurojë dakordësinë e Trump-it për një takim në Budapest (që më pas u shty), si edhe të ndikojë në ndalimin e një dërgese me raketa Tomahawk për Ukrainën.
Mes 24 dhe 26 tetorit, Ushakov-i dërgon në Miami, Kirill Dmitriev, kreun e fondit sovran rus, për t’i dorëzuar Witkoff-it një “non-paper”, një draft jozyrtar të propozimit rus. Nga një tjetër telefonatë e 29 tetorit e publikuar nga Bloomberg, rezulton se Dmitriev-i po vepronte në emër të Ushakov-it. Në atë bisedë, Ushakov-i kërkon “maksimumin” për dokumentin, ndërsa Dmitriev-i shprehet se do të shkruajnë pozicionin rus sa më besnikërisht, duke qenë të vetëdijshëm se pala amerikane mund ta ndryshojë më vonë.
Parashikimi rezulton i saktë. Më 21 nëntor, SHBA-të prezantojnë një version të ri të planit, të quajtur nga Putini “i modernizuar në 28 pika”, shumë të ngjashëm me draftin e Moskës, por me disa rregullime. Dokumenti është rishikuar më pas në Gjenevë dhe Abu Dhabi, dhe Witkoff pritej ta diskutonte këtë javë në Moskë, vizita e tij e gjashtë në Kremlin. Por publikimi i transkriptimeve ka hedhur hije mbi udhëtimin.
Trump-i ka dalë në mbrojtje të Witkoff-it, duke e quajtur bisedën “të zakonshme në proceset negociuese”. Mirëpo, disa deputetë republikanë kanë kërkuar dorëheqjen e tij. Don Bacon e akuzon se “po sillet si njeri në shërbim të Rusisë”, ndërsa Brian Fitzpatrick e quan bisedën “një problem serioz” dhe kërkon që çështjen ta marrë përsipër senatori Marco Rubio.
Në Moskë, ndërkohë, zyrtarët e quajnë publikimin e telefonatave “luftë hibride”, ndërsa gazeta Kommersant ngre pyetjen: “Kush e futi në kurth Steve Witkoff?”. Kremlini mban qëndrim të qartë: Refuzon thirrjet për dorëheqjen e tij, duke deklaruar se objektivi i shpërndarjes së materialeve është “sabotimi i përpjekjeve për paqe”./kb