Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me partnerin, miqtë, familjarët apo edhe kolegët, shpesh lind dëshira për të kuptuar se çfarë mendojnë ata vërtet për ne. Edhe kur dikush i shpreh hapur ndjenjat e tij, ndonjëherë mbetet një pikëpyetje: A ndihet vërtet kështu për mua?
Sipas ekspertes së marrëdhënieve Kimberly Moffitt, disa sinjale të vogla në sjelljen e një personi mund të japin më shumë informacion sesa fjalët. Ajo veçon tre mënyra për të kuptuar nëse dikush ka një interes të veçantë për ju.
1. Shikoni nëse përpiqet t’ju ndihmojë kur jeni në vështirësi
Një mënyrë për ta kuptuar se sa i interesuar është dikush për ju është të tregoni hapur një problem që po kaloni. Flisni për atë që ju shqetëson, tregoni pasiguritë që keni dhe mënyrën se si po përpiqeni ta zgjidhni situatën.
Sipas Moffitt, reagimi i personit mund të jetë domethënës. Dikush mund t’ju dëgjojë me empati dhe t’ju lërë të shfryheni, por kur një person kujdeset veçanërisht për ju, mund të përpiqet të bëjë edhe më shumë. Mund t’ju ofrojë ndihmë, të kërkojë një zgjidhje bashkë me ju ose të përpiqet t’jua lehtësojë sadopak barrën.
Kjo nuk do të thotë se çdo përpjekje për t’ju ndihmuar është automatikisht shenjë tërheqjeje. Megjithatë, gatishmëria për t’u përfshirë dhe për të qenë pranë jush në momente të vështira mund të tregojë se marrëdhënia ka rëndësi për atë person.

2. Vëzhgoni gjuhën e trupit kur hyni në dhomë
Gjuha e trupit shpesh mund të tregojë reagime që nuk shprehen me fjalë. Prandaj, herën tjetër që hyni në një ambient ku ndodhet edhe personi në fjalë, kushtojini vëmendje mënyrës se si ndryshon sjellja e tij.
A drejton shpinën? Ndryshon qëndrimin? Bëhet papritur më i vëmendshëm ndaj pamjes së tij apo duket më i tensionuar?
Sipas ekspertes, këto reagime mund të ndodhin në mënyrë të pavetëdijshme kur dikush hyn në ambient dhe personi tjetër ka një interes të veçantë për të. Trupi mund të reagojë natyrshëm ndaj dëshirës për të lënë një përshtypje të mirë te dikush që na intereson.
Sigurisht, një gjest i vetëm nuk mjafton për të përcaktuar ndjenjat e dikujt. Më e rëndësishme është të vëzhgohet nëse një sjellje e tillë përsëritet në situata të ndryshme.

3. Shikoni nëse përpiqet të largojë pengesat mes jush
Një tjetër sinjal interesant lidhet me distancën fizike. Moffitt sugjeron të vëzhgoni se çfarë ndodh me objektet që ndodhen mes jush dhe personit tjetër, si një telefon, gotë, çantë apo sende të tjera.
Nëse personi ka një tërheqje të veçantë ndaj jush, mund të ketë tendencën t’i largojë këto objekte, duke krijuar më shumë hapësirë të drejtpërdrejtë mes jush. Sipas ekspertes, kjo mund të lidhet me një reagim të pavetëdijshëm për të eliminuar barrierat fizike dhe për të krijuar më shumë afërsi.
Megjithatë, edhe ky është vetëm një sinjal dhe jo një “test” që mund të japë një përgjigje të sigurt. Në fund, mënyra më e besueshme për të kuptuar se çfarë ndien dikush mbetet komunikimi i hapur dhe vëzhgimi i sjelljes së tij në tërësi./k.m
