Last Updated on 21/04/2026 by EL
Drejtori i Përgjithshëm i “SIGAL Insurance Group”, Avni Ponari, mori pjesë në “Simpoziumin e Karrierës dhe Aftësive” të organizuar në Universitetin e Elbasanit. Ky aktivitet, i cili bëri bashkë dhjetëra studentë dhe akademikë, shërbeu si një platformë dialogu mes brezit të ri dhe eksperiencës së dëshmuar në tregun e sigurimeve dhe biznesit.
Gjatë fjalës së tij, Ponari u ndal te hapat konkretë që duhet të ndjekë një i ri për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në kushtet e tregut aktual. Ai theksoi se suksesi nuk është rastësi, por produkt i një përkushtimi maksimal dhe një vullneti të palëkundur për t’u përshtatur me ndryshimet.
Në qendër të bashkëbisedimit me studentët ishin tre elemente kyçe:
- Nevoja për të qenë serioz dhe metodik në çdo hap të punës.
- Mësimi i aftësive të reja që kërkon koha, përtej bankave të shkollës.
- Shfrytëzimi i mundësive që ofron tregu pa u stepur nga sfidat fillestare.
“Të rinjtë kanë një potencial të jashtëzakonshëm dhe është detyra jonë t’i mbështesim, t’i frymëzojmë dhe t’i afrojmë më shumë me realitetin profesional,” u shpreh Ponari, duke nënvizuar se SIGAL Insurance Group mbetet e hapur për të rinjtë që kërkojnë të sfidojnë veten.
Pjesëmarrja në këtë simpozium tregon edhe një herë vëmendjen që SIGAL i kushton përgjegjësisë sociale dhe edukimit. Ponari falënderoi Universitetin e Elbasanit për ftesën, duke e cilësuar si një kënaqësi të veçantë kontributin në formimin e atyre që nesër do të jenë liderët e tregut të punës në Shqipëri.
Lajmi u prit me interes të lartë nga të pranishmit, të cilët patën mundësinë të dëgjonin drejtpërdrejt nga një prej figurave më të rëndësishme të biznesit në vend mbi rrugëtimin e tij në krye të SIGAL.
