Last Updated on 15/09/2025 by adminfjala
Dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, është parë si e rëndësishme dhe vendimtare në favor të mbrojtjes së ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, si dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, tha se ai nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët e UÇK -së.
“Ishte e qartë për mua se ai nuk ishte në krye. Ai nuk kishte dijen, aftësitë apo autoritetin për të marrë vendime në asnjë mënyrë”, tha Rubin para gjykatës të hënën.
Thaçi po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuza që ata i kanë mohuar plotësisht.
Rubin gjithashtu dëshmoi se nuk kishte asnjë informacion që e lidh Thaçin ose të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje apo ekzekutime.
Cilat ishin reagimet?Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha për dëshminë e Rubinit se në Hagë “po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut”.
“Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Krasniqi – i cili tani udhëheq partinë të cilën për vite të tëra pas luftës së vitit 1998-‘99 e udhëhoqi Thaci dhe pastaj Veseli – shtoi se “me Shtetet e Bashkuara krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha!”
Rubin është ish-ndihmës sekretar i shtetit për çështjet e informacionit publik dhe zëdhënës kryesor i Madeleine Albright kur ajo ishte sekretare e shtetit në administratën e Klintonit.
Ai ishte me Albrightin në bisedimet e paqes në Francë në vitin 1999 dhe më vonë shërbeu si negociator i posaçëm në bisedimet për çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Rubin e përshkroi Thaçin para gjykatës si një “figurë politike” pa pushtet të vërtetë.
Analisti politik, Agon Maliqi, shkroi në Facebook se dëshmia e Rubinit “është dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm historik që i përmbys shumë narracione propagandistike”. m.p.
