Të dhënat zyrtare tregojnë se primet totale të sigurimit motorik kanë arritur në 12.474 milionë lekë, me një rritje prej 12,96% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
Tregu i sigurimeve të detyrueshme motorike në Shqipëri ka vijuar trendin e qëndrueshëm pozitiv gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025, duke reflektuar rritje në vlerën e primeve dhe në numrin e kontratave të reja.
Të dhënat zyrtare tregojnë se primet totale të sigurimit motorik kanë arritur në 12.474 milionë lekë, me një rritje prej 12,96% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“MTPL e brendshme”, lokomotiva e tregut
Sipas statistikave, produkti më dinamik ka qenë “MTPL e brendshme”, që mbulon sigurimin e detyrueshëm për qarkullimin e mjeteve brenda vendit.
Kjo rritje lidhet me një ndërgjegjësim më të madh të drejtuesve të automjeteve për detyrimin ligjor të sigurimit, si dhe me forcimin e kontrolleve policore dhe digjitalizimin e procesit të verifikimit të sigurimeve.
Edhe produkti “Karton jeshil”, që mbulon përgjegjësitë për automjetet që qarkullojnë jashtë territorit të Shqipërisë, ka ndjekur një trajektore rritëse.
Sipas të dhënave, vëllimi i primeve është rritur me 11,07%, ndërsa numri i kontratave ka shënuar një rritje më modeste prej 2,51%.
Ky trend sinjalizon një gjallërim të lëvizjeve ndërkufitare të qytetarëve shqiptarë, të cilët po udhëtojnë më shpesh drejt vendeve të rajonit dhe BE-së me automjetet e tyre.
Sigurimi kufitar, rënie e lehtë nga fluksi i huajve
Në të kundërt, sigurimi kufitar – që aplikohet për automjetet e huaja të pasiguruara që hyjnë përkohësisht në territorin shqiptar – ka pësuar një rënie të lehtë.
Primet e shkruara bruto kanë zbritur me 1,58%, ndërsa numri i kontratave është ulur me 1,90%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Treg në konsolidim dhe garë më të shëndetshme
Ekspertët e tregut vlerësojnë se ecuria pozitive tregon një treg sigurimesh më të konsoliduar, ku konkurrenca po përqendrohet gjithnjë e më shumë te cilësia e shërbimit dhe besueshmëria ndaj klientëve.
