Fshati piktoresk i Sinicës, në zonën e Devollit të Sipërm, mbetet një nga destinacionet më të veçanta turistike të juglindjes së vendit. I rrethuar nga natyra e paprekur dhe me shtëpitë karakteristike prej guri, Sinica ofron një përjetim autentik për vizitorët, veçanërisht gjatë stinës së dimrit, kur mbulohet nga bora dhe shndërrohet në një mrekulli natyrore.
Tradita e vjetër, arkitektura karakteristike dhe mikpritja e banorëve janë elementët që e bëjnë këtë fshat gjithnjë e më të kërkuar nga turistët vendas dhe të huaj. Bujtinat familjare janë kthyer në pika referimi për ata që kërkojnë qetësi, natyrë dhe ushqim tradicional.
Dajlan Hysolli, ka hapur një bujtinë të vogël në Sinicë, “Vatrën Sinicare”, dhe tregon se numri i vizitorëve po rritet dita-ditës. Ai shprehet se në bujtinë kanë qëndruar turistë nga zona e Devollit dhe Korçës, por edhe të huaj nga vende të ndryshme të Europës e më gjerë, si Izraeli, Palestina dhe Kina.
Sipas Hysollit, turistët tërhiqen nga natyra mikpritëse e zonës dhe nga monumentet natyrore e kulturore që ofron fshati, si ujëvarat, kisha dhe urat e vjetra prej guri. Një ndikim pozitiv ka pasur edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, që ka lehtësuar ndjeshëm aksesin drejt Sinicës.
“Në bujtinën tonë ka patur dita ditës njerëz të ndryshëm që sa vijnë edhe shtohen, brenda vendit dhe të huaj. Më shumë vijnë banorë të Devollit e të Korçës por kemi edhe turistë të huaj nga Europa. Na kanë ardhur nga Izraeli, Palestina, Kina. Turistët këtu pëlqejnë vendin që është shumë mikpritës, natyra që dallon për veçantitë e saj. Kemi dy ujëvarat, kishën, dy urat e gurit. Ka shumë gjëra për të vizituar. Shtrimi i rrugës ka bërë që të ndryshojnë gjërat në mënyrë pozitive. Para se të bëhej rruga, njerëzit kishin qejf të vinin por nuk ju jepej mundësia. Tani me bërjen e rrugës po shtohen dita ditës vizitorët.”
Një tjetër element që i bën vizitorët të rikthehen është kuzhina tradicionale. Gatimet karakteristike të zonës, si dhallaniku, pula me petë, lakrori, pastërmaja dhe rakia e bërë vetë, janë pjesë e përvojës që u ofrohet turistëve. Janë pikërisht gatimet e trashëguara nga brezat e mëparshëm që e dallojnë Sinicën nga fshatrat e tjerë. Turistët shprehen të kënaqur nga gjithçka që ofron fshati, duke nisur nga natyra, ushqimi tradicional e deri te autenticiteti i jetës rurale, çka e kthen Sinicën në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për turizmin familjar dhe atë kulturor.
“Këtu pikërisht për atë vijnë, për gatimet tradicionale të zonës dhe kryesisht të fshatit tonë. Gjërat që hamë ne në shtëpi, hanë edhe turistët që vijnë këtu, si dhallaniku, pula me petë, lakrorori, pastërmaja, rakia e bërë vetë, edhe prodhime të tjera. Turistët janë shumë të kënaqur dhe rikthehen sërish. U pëlqen natyra, vendi, gatimet, të gjitha gjërat që ofron fshati i Sinicës. Bën diferencë sepse në fshatin tonë janë ruajtur këto gatimet e hershme që jo të gjithë mundet ti kenë. Këtu ribëhen akoma edhe sot gatimet e nënave dhe gjysheve tona.”
Sinica po shndërrohet gradualisht në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit rural në juglindje të vendit, duke kombinuar natyrën e paprekur, trashëgiminë kulturore dhe kuzhinën tradicionale. Investimet në infrastrukturë dhe angazhimi i vetë banorëve kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të vizitorëve, të cilët po zbulojnë gjithnjë e më shumë vlerat që ofron ky fshat. Ruajtja e traditave, e gatimeve të hershme dhe e arkitekturës karakteristike e bën Sinicën një destinacion autentik, që jo vetëm promovon turizmin, por edhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të zonës dhe në mbajtjen gjallë të jetës në fshat./K.M
