Last Updated on 11/08/2026 by Anisa
25 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në vend, ndërsa pjesa më e madhe e tyre është shuar. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht 5 vatra vijojnë të jenë aktive dhe një zonë po mbahet në monitorim, ndërsa në terren janë angazhuar qindra forca dhe dhjetëra mjete për menaxhimin e situatës.
Në operacionet për përballimin e zjarreve janë përfshirë 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale, të mbështetura nga 158 efektivë të Forcave të Armatosura, 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore. Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në zonat ku vatrat mbeten aktive.
“Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat pjesa më e madhe janë shuar. Aktualisht 5 vatra mbeten aktive dhe 1 zonë është në monitorim. Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale, ndërsa në mbështetje kanë vepruar 158 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Mallakastër, pas disa ditësh operacione intensive, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht. Në Drenie, bashkia Patos, është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe strukturat operacionale po vijojnë punën.
Në Krujë, vijon angazhimi i forcave në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze, pavarësisht përhapjes së favorizuar nga era, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Krastë–Halil, në orët e para të mëngjesit u angazhuan 2 helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët ndërhynë për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbështetur forcat operacionale në terren. Pas ndërhyrjes nga ajri, situata u normalizua dhe puna vijon për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës. Në dy vatrat e Krujës janë angazhuar në total 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Priskë e Madhe, bashkia Tiranë, vijon puna për vënien nën kontroll të vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri në Cikallesh, bashkia Kavajë, është shuar plotësisht, ndërsa Dajti vijon të mbahet në monitorim.
Në Vilëz, bashkia Kurbin, dhe në Kallmet të Vogël, bashkia Lezhë, zjarret janë shuar plotësisht. E njëjta situatë paraqitet edhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe, ku vatra e zjarrit raportohet e shuar.
Në malin e Nëmerçkës, bashkia Përmet. Vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile mbeten në gatishmëri dhe vijojnë koordinimin deri në neutralizimin e plotë të çdo vatre aktive”, shkruan Ministria e Mbrojtjes./ad
