Mbajtja nën kontroll e tre faktorëve të shëndetit vaskular në moshën e mesme mund të lidhet me një jetë dukshëm më të gjatë pa demencë, sugjeron një studim i ri.
Sipas kërkimit, personat që nga mosha 48 deri në 68 vjeç nuk kanë diabet, hipertension dhe nuk pinë duhan mund të fitojnë, mesatarisht, gati 13 vite më shumë jetë pa zhvilluar demencë.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Neurology”, analizoi të dhënat e më shumë se 12 mijë pjesëmarrësve dhe u fokusua te faktorët e modifikueshëm që ndikojnë në shëndetin e trurit gjatë plakjes.
Studiuesit zbuluan se prania e diabetit, presionit të lartë të gjakut ose duhanpirjes lidhej me një periudhë më të shkurtër jete pa demencë. Personat që kishin të tre faktorët e rrezikut përballeshin me një rrezik gati tre herë më të lartë për të zhvilluar demencë, krahasuar me ata që nuk kishin asnjë prej tyre.
Në moshën 55 vjeç, personat pa asnjë nga këta faktorë rreziku mund të prisnin mesatarisht rreth 30 vite jetë pa demencë.
Për ata që kishin një faktor rreziku, kjo periudhë zbriste në rreth 26 vjet. Me dy faktorë, shkurtohej në rreth 21 vjet, ndërsa personat që kishin të tre faktorët mund të prisnin pak më shumë se 17 vite pa demencë.
Kjo do të thotë se diferenca mes grupit me shëndet më të mirë vaskular dhe atij me të tre faktorët e rrezikut ishte rreth 13 vite jetë pa demencë.
Studimi evidentoi gjithashtu ndryshime mes grave dhe burrave. Në përgjithësi, gratë priren të jetojnë më gjatë pa demencë. Në mesin e personave me të tre faktorët e rrezikut, gratë kishin mesatarisht 18 vite jetë pa demencë, krahasuar me 16 vite për burrat.
Demenca është një nga sfidat shëndetësore në rritje më të shpejtë në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit diagnostikohen rreth 10 milionë raste të reja dhe numri i personave që jetojnë me demencë pritet të tejkalojë 150 milionë deri në vitin 2050.
Pikërisht për shkak të kësaj rritjeje, kërkimi shkencor po fokusohet gjithnjë e më shumë te parandalimi dhe te faktorët që mund të ndryshohen përpara moshës së tretë.
“Gjetjet tona tregojnë se njerëzit duhet t’i shmangin në mënyrë aktive këta faktorë gjatë moshës së mesme, si një strategji për të ruajtur shëndetin e trurit për më shumë se një dekadë”, tha Josef Coresh, studiuesi kryesor i studimit.
Sipas tij, rezultatet mund të shërbejnë si nxitje për njerëzit që të ndalojnë duhanin dhe të monitorojnë nga afër shëndetin vaskular duke nisur që nga mosha 48-vjeçare.
Studimi nuk do të thotë se shmangia e këtyre faktorëve garanton parandalimin e demencës, por sugjeron një lidhje të rëndësishme mes shëndetit të zemrës dhe enëve të gjakut në moshën e mesme dhe viteve të jetës pa dëmtime të rëndësishme njohëse./ad
