Last Updated on 28/05/2026 by Monika
Situata te Juventusi vazhdon të mbetet e tensionuar mes Luciano Spallettit dhe drejtuesit Damien Comolli, ndërsa pritet një takim vendimtar me John Elkann dhe Giorgio Chiellini.
Sipas raportimeve në Itali, Spalletti nuk është ndier i përfshirë plotësisht në vendimet e merkatos së janarit. Comolli deklaroi se afrimet e Boga dhe Holm ishin të dakordësuara me trajnerin, por sulmuesi qendror i kërkuar nga Spalletti nuk u transferua.
Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk duan ndryshime të tjera të mëdha në strukturë dhe kanë kërkuar kompromis mes palëve. Spalletti do të paraqesë dy kërkesa kryesore në takimin e ardhshëm: të shmangen ndërhyrjet nga figura të jashtme dhe të ketë rol të plotë në merkaton e sezonit të ardhshëm.
Takimi mes drejtuesve pritet të zhvillohet të premten ose të hënën dhe konsiderohet i rëndësishëm për projektin e ardhshëm të Juventusit./mxh
