Last Updated on 10/12/2025 by EL
Një episod i pakëndshëm i ndodhur te “Mrizi i Zanave” ka rikthyer vëmendjen te një realitet i hidhur shqiptar, mungesa e respektit për punonjësit dhe bindja e gabuar se njerëzit e famshëm janë të paprekshëm.
Altin Prenga, pronar i Mrizit të Zanave, ka denoncuar, sjelljen arrogante të një artisti të njohur ndaj kamarierëve të lokalit.
Sipas Prengës, artisti në fjalë ishte i ftuar për një takim, por gjatë qëndrimit është sjellë në mënyrë fyese ndaj kamarierëve. Duke shprehur indinjatën e tij ndaj sjelljes arrogante, ai thekson se pavarësisht emrit apo famës, askush nuk ka të drejtë të poshtërojë punonjësit.
“Kush nuk respekton punëtorët, nuk është i mirëpritur, kushdo qoftë,” ka shkruar Altin Prenga, duke i bërë thirrje të gjithëve që të tregojnë konsideratë ndaj njerëzve që punojnë me përkushtim në shërbim të vizitorëve. Ai shtoi se ky parim nuk përjashton askënd, përfshirë personazhe të njohur të artit e medias.
Ngjarja ka marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë përshëndetur qëndrimin e Prengës për mbrojtjen e kamarierëve dhe vendosjen e standardeve të qarta të sjelljes në mjediset e shërbimit./e.t
