Last Updated on 28/04/2025 by adminfjala
Prej disa javësh, disa portale në Shqipëri janë bërë përndjekëse të prodhuesve vendas, fermerëve dhe fshatarëve të ndershëm, të cilët prodhojnë produkte të ndryshme ushqimore prej disa dekadash.
Kjo dashakeqësi e pashembullt po bëhet agresive, kur në rrjetet sociale qarkullojnë shkrime të përsëritura, të cilat sulmojnë intensivisht prodhuesit vendas.
Në industrinë e përpunimit të qumështit dhe mishit janë investuar miliona euro në Shqipëri. Këto industri prodhojnë e përpunojnë produkte cilësore e të standardeve më të larta europiane.
Mijëra fermerë janë furnizues të këtyre industrive dhe sigurojnë jetesën me punë të ndershme me familjet e tyre, duke kontribuar edhe në një shoqëri të shëndetshme me produktet që ne konsulmojmë.
Natyrshëm lind pyetja: kush janë financuesit e këtyre portaleve, ku gazetarë anonimë detyrohen për të bërë artikuj kundër prodhimeve shqiptare? Si ka mundësi që këto portale nuk bëjnë asnjë shkrim për kompanitë e importit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut? A kanë lidhje ato me sponsorizues apo shërbime sekrete të këtyre dy vendeve të rajonit?
Eshtë e qartë se kjo është një fushatë sistematike denigruese ndaj prodhuesve vendas, me qëllim për të dëmtuar imazhin e tyre dhe për të favorizuar prodhimet nga vende si Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Mes këtyre portaleve gjobëvënëse, ka edhe ndër ato të cilat më parë janë dënuar për shpifje, gjë që e përforcon edhe më shumë faktin se kemi të bëjmë me një fushatë masive sulmi ndaj prodhuesve shqiptarë. m.p.