Qeveria britanike po shqyrton mundësinë e hapjes së një hetimi publik mbi aktivitetet në Mbretërinë e Bashkuar të financierit të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Sipas saj, kryeministri Andy Burnham ka rënë dakord të takohet me ‘viktimat’ e Epstein dhe po shqyrton hapat që mund të ndërmerren, tashmë që ka akses në të gjithë informacionin si kreu i qeverisë.
Ministrja, e cila më herët kishte dhënë dorëheqjen nga qeveria duke akuzuar drejtuesit se nuk kishin dëgjuar të mbijetuarit e Epstein, tha se tani ka marrë garanci nga Burnham se çështja do të trajtohet me seriozitet.
Sipas BBC-së, përpara se Burnham të merrte detyrën si kryeministër, aktivistë të Partisë Laburiste i dorëzuan një dokument ku kërkohej ngritja e një hetimi të gjerë publik për aktivitetet e Epstein në Britani, akuzat ndaj Mohamed Al Fayed dhe pretendimet për dhunë seksuale ndaj bashkëpronarit të West Ham, David Sullivan. Ky i fundit i ka mohuar kategorikisht akuzat.
Anouska di Georgiou, një nga të mbijetuarat e Jeffrey Epstein, e mirëpriti mundësinë e një hetimi, por theksoi se viktimat kanë nevojë për veprime konkrete dhe jo vetëm për premtime.
“Ne kemi dëgjuar premtime edhe më parë. Ajo që ka rëndësi tani është veprimi, jo titujt“, u shpreh ajo për BBC Newsnight./ad
