Last Updated on 03/12/2025 by Kesjana
Federica Mogherini, rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, e cila u arrestua dje si pjesë e një hetimi për mashtrim që përfshinte Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Kolegjin e Evropës, u lirua gjatë natës, rreth orës 01:00, raporton Corriere della Sera.
Dy të ndaluarit e tjerë, Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti, u liruan gjithashtu.
“Pasi u morën në pyetje nga Policia Federale Gjyqësore Belge, të tre individët u informuan zyrtarisht për akuzat kundër tyre. Akuzat kanë të bëjnë me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ata janë liruar pasi nuk konsiderohen rrezik për arratisje”, informuan gjyqtarët.
Në qendër të hetimit është një program 9-mujor trajnimi për diplomatët e rinj të BE-së një kontratë prestigjioze, me peshë të madhe financiare dhe institucionale. Gjatë viteve 2021–2022, Shërbimi Diplomatik i BE-së (EEAS) i dha këtë projekt (tender) Kolegjit të Europës, por EPPO dyshon se procesi nuk ka qenë i pastër.
Dyshimi kryesor është se Kolegji i Europës, që ka seli edhe në Shqipëri, i drejtuar nga Mogherini, mund të ketë marrë informacion të brendshëm për kriteret e tenderit përpara se ato të bëheshin publike. Pra, mund të ketë pasur paranjohuri që i dha avantazh të padrejtë dhe që, nëse konfirmohet, përbën favorizim dhe shkelje të rëndë të konkurrencës së ndershme.
Pikërisht për këtë arsye Mogherini po hetohet për rolin e saj.
Mes të arrestuarve ishte edhe Stefano Sannino, ish-Sekretari i Përgjithshëm i EEAS, institucioni që organizoi vetë tenderin. Për shkak të pozicionit të tij, ai kishte akses të plotë në dosje dhe kriteret e përzgjedhjes. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse ai ka ndarë në mënyrë të paligjshme këto kritere me Mogherinin dhe bashkëpunëtorët e saj.
Ajo që hetohet për momentin përfshin mashtrim në tenderë publikë, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.
Për të vazhduar hetimet, Prokuroria Europiane ka kërkuar edhe heqjen e imunitetit për disa prej personave të përfshirë.
Operacioni është drejtuar nga një gjyqtar belg dhe EPPO, ndërsa policia federale belge ka kryer bastisjet në Bruksel, Bryzh dhe në banesat e të dyshuarve. Për nga profili i të arrestuarve, ky është një nga aksionet më të forta të EPPO-s ndaj figurave të nivelit të lartë brenda institucioneve të BE-së.
Federica Mogherini nuk është një emër i zakonshëm. Ajo ka qenë ministre e Jashtme e Italisë dhe për 5 vite Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, pozicioni më i lartë diplomatik i Unionit.
Arrestimi i Mogherinit bie veçanërisht në sy në Shqipëri, ku ajo për vite me radhë u pa si person pranë Edi Ramës dhe qeverisë socialiste. Kolegji Europian, për të cilin Mogherini u rreshtua, hapi edhe një degë/seli ne Tiranë. Edi Rama e promovoi fort këtë ngjarje./kb
