Shtetet e Bashkuara – Administrata e Donald Trump ka ndalur të gjitha aplikimet për azil të paraqitura nga persona nga 19 vende të botës, një lëvizje e re për të kufizuar rrugët ligjore të emigracionit.
Siç raporton CBS News, ky vendim erdhi pas të shtënave me armë zjarri javën e kaluar ndaj dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në Washington
Dokumenti i brendshëm i Shërbimit të Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së (USCIS), i siguruar nga CBS News, tregon se agjencia ka urdhëruar punonjësit të “ndalojnë përfundimin e shqyrtimit të të gjitha rasteve” që lidhen me individë nga 19 vendet e përfshira.
Ky pezullim përfshin edhe ata të cilët jetojnë prej vitesh ligjërisht në SHBA dhe ishin vetëm një hap larg marrjes së nënshtetësisë amerikane. Dokumenti tregon se masa është e përkohshme, derisa administrata të hartojë udhëzime të reja për procesin e verifikimit të këtyre aplikantëve.
“Pezullimi përfshin të gjitha llojet e formularëve dhe çdo vendim përfundimtar (miratim ose refuzim)”, thuhet në udhëzimin e dërguar zyrave të USCIS.
Dekreti i qershorit 2025 nga Trump ndalon pothuajse tërësisht hyrjen e personave nga: Afganistani, Mianmari, Çadi, Kongo, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Ndërsa nga vende të tjera si Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela, masat janë pjesërisht kufizuese.
Udhëzimi i ri tregon se masat shtrënguese kundër emigracionit nga Trump, pas sulmit ndaj Gardës Kombëtare, janë shumë më të zgjeruara se sa ishin bërë publike më parë. Autori i sulmit, një shtetas afgan që hyri në SHBA në vitin 2021 nën administratën Biden dhe mori azil në prill 2025, ka shtyrë administratën të veprojë menjëherë.
Që nga sulmi, qeveria e Trump ka njoftuar disa masa të reja, përfshirë: pezullimin e të gjitha vendimeve për azil, ndalimin e përpunimit të vizave dhe aplikimeve të emigrantëve afganë, rishikimin e të gjitha çështjeve të emigrantëve nga 19 vendet e listuara.
Por deri tani nuk ishte bërë e ditur se pezullimi përfshinte të gjitha rastet e USCIS, jo vetëm Green Card, por edhe kërkesat për shtetësi. Normalisht, për t’u bërë shtetas i SHBA-ve, një emigrant duhet të ketë qenë banor i ligjshëm për 3 ose 5 vjet.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) nuk e mohoi këtë masë kur u pyet nga CBS News, duke thënë se administrata Trump “po sigurohet që personat që marrin shtetësinë të jenë më të mirët”.
“Ne nuk do të rrezikojmë të ardhmen e vendit”, tha DHS.
Të martën, USCIS publikoi një memo që përmbledh masat e reja, ku theksohet se këta persona do t’i nënshtrohen një “rishikimi të plotë”, që mund të përfshijë intervistë të re dhe verifikime shtesë lidhur me sigurinë kombëtare, lidhjet e mundshme me terrorizmin ose kriminalitetin.
Pezullimi nuk do të hiqet derisa drejtori i USCIS të lëshojë një memo të re. Çdo përjashtim i mundshëm duhet miratuar në nivel drejtori.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë thonë se administrata po konsideron zgjerimin e listës së vendeve të ndaluara, duke e çuar numrin total në rreth 30 vende./kb
