Last Updated on 01/09/2026 by EL
Në 7 muaj, mbi 1.2 miliardë euro janë derdhur në arkën e shtetit nga të punësuarit në sektorin privat dhe publik, si kontribut për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se për periudhën Janar-Korrik 2026, janë arkëtuar 117.5 miliardë lekë apo 13.9 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. E shprehur në përqindje, rritja e të ardhurave regjistrohet në 13.4%.
Nga ana tjetër kjo shifër është rekord në dekadën e fundit, duke u rritur me 146% në raport me vitin 2016, ku të ardhurat nga kontributet ishin në masën 45.4 miliardë lekë.
Ndërsa vetëm në muajin Korrik 2026 janë 18.4 miliardë lekë të mbledhura apo 2.2 miliardë lekë më shumë.
Në këtë performancë kanë ndikuar disa faktorë, të lidhur si me rritjen e pagave, ashtu edhe me formalizimin e tregut të punës. Një ndër elementët kryesorë është rritja e pagave në sektorin publik dhe privat, e cila ka çuar pagën mesatare në vend pranë nivelit të 1 mijë eurove në muaj dhe, për rrjedhojë, ka rritur edhe masën e kontributeve të derdhura për çdo punonjës.
Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe lufta kundër informalitetit, veçanërisht kontrollet dhe masat ndaj nëndeklarimit të pagave. Formalizimi i pagave dhe rritja e shumave të deklaruara kanë sjellë automatikisht edhe më shumë të ardhura në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Në të njëjtën linjë kanë ndikuar edhe pagat referencë të aplikuara gjatë këtij viti në sektorë të caktuar, përfshirë turizmin, ndërtimin dhe mjekësinë. Këto masa kanë synuar përafrimin e pagave të deklaruara me nivelet reale të tregut, duke gjeneruar një efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e kontributeve.
Një tjetër element është rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë në muaj, që prej janarit 2026. Rritja e bazës minimale të pagës ka ndikuar në rritjen e detyrimit për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Në performancën e të ardhurave ndikim ka erdhe zgjerimi i aktivitetit të biznesit, përmes rritjes së numrit të subjekteve të reja, si dhe përmirësimi i administrimit tatimor. Kombinimi i këtyre faktorëve ka sjellë një zgjerim të bazës së kontribuuesve dhe një mbledhje më efikase të detyrimeve, duke kompensuar pjesërisht edhe efektet e mungesës së fuqisë punëtore në treg.
Aktualisht, pagesa minimale mujore për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për një individ është rreth 13,950 lekë./et
