Banorët e Kievit janë shprehur skeptikë të premten, më 26 dhjetor, se bisedime të mundshme mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump mund të sjellin ndryshime reale, ndërsa lufta me Rusinë vazhdon pa shenja ndalimi.
Presidenti Zelensky deklaroi se planifikon të takohet së shpejti me Donald Trump dhe se shumë çështje mund të vendosen përpara Vitit të Ri, në një kohë kur Uashingtoni po shton përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.
Zelensky ka theksuar se temat më të ndjeshme, përfshirë çdo kompromis të mundshëm territorial, duhet të diskutohen vetëm në nivelin më të lartë shtetëror. Autoritetet në Kiev kanë bërë të ditur se po kërkojnë me ngulm një takim ballë për ballë me presidentin amerikan.
Nga ana tjetër, Kremlini konfirmoi se këshilltari për politikën e jashtme i presidentit rus, Yuri Ushakov, ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të administratës amerikane, pasi Moska mori propozime nga Shtetet e Bashkuara lidhur me një marrëveshje të mundshme paqeje për Ukrainën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk dha detaje mbi kohën e zhvillimit të këtyre kontakteve, ndërsa palët vijojnë deklaratat diplomatike mes tensioneve të vazhdueshme në terren.
Pavarësisht lëvizjeve politike, qytetarët në Kiev shprehen se shpresa për një fund të shpejtë të luftës mbetet e vogël, ndërsa konflikti hyn në një fazë të re pasigurie./mxh
