Veteranë të luftës në Kiev kanë ngritur një kuzhinë të lëvizshme për të ndihmuar banorët që kanë mbetur për orë të tëra pa energji elektrike dhe ngrohje, pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Veteranët shpërndanë pije të ngrohta dhe ushqim, ndërsa qytetarët përpiqeshin të ngroheshin pranë një zjarri dhe të karikonin telefonat e tyre. Nisma u organizua të hënën, më 26 janar, në zonat më të goditura të kryeqytetit.
Sipas Yan Klishaiev, drejtues i Korpusit të Veteranëve të Brigadës së Tretë Sulmuese, ideja lindi pasi një mik i tij e vizitoi duke pasur nevojë të karikonte protezën e tij. Ai theksoi se kjo nismë shërben edhe për të afruar më shumë ushtrinë me civilët.
Valeriia Kolesnyk, 24 vjeçe, e cila erdhi së bashku me djalin e saj trevjeçar për të marrë komposto frutash të ngrohtë, tha se apartamenti i saj kishte shumë pak ngrohje dhe se uji i ftohtë ishte rikthyer vetëm një ditë më parë.
Kuzhina e lëvizshme zhvendoset pranë pallateve më të prekura, në mënyrë që sa më shumë banorë të përfitojnë ndihmë dhe ngrohtësi.
Rusia ka intensifikuar ndjeshëm sulmet ndaj sistemit energjetik të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit në vitin 2022. Vetëm të shtunën, më 24 janar, një sulm masiv tronditi Kievin me shpërthime gjatë natës, duke lënë rreth 1.2 milionë banesa pa energji elektrike në të gjithë vendin, në kushte temperaturash nën zero.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy njoftoi se të martën, më 27 janar, 926 ndërtesa banimi në Kiev mbetën pa ngrohje./mxh
