Last Updated on 09/08/2026 by Anisa
Deklarata e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, se Ukraina do të vijojë të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Kosovë.
Për këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili i ka cilësuar të pakuptimta reagimet e atyre që, sipas tij, e shohin qëndrimin e Ukrainës si diçka të re.
“Reagime të papara nga ‘patriotët’ shqiptarë sepse Zelenski u shpreh në Beograd që Ukraina do vazhdojë mos ta njohë Kosovën. Ku është e reja dhe çudia këtu?”, shkruan Spaho.
Sipas tij, Ukraina ka mbajtur të njëjtin qëndrim që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, për shkak të situatës së saj territoriale dhe konfliktit me Rusinë.
“Këtë qëndrim Ukraina e ka pasur që kur Kosova u shpall e pavarur në vitin 2008, sepse Rusia ka pretendime për territore të Ukrainës. Ju prisni që Ukraina, duke njohur Kosovën, të krijojë precedent që territore të saj të humben përfundimisht?”, shprehet ai.
Spaho ironizon më tej ata që, sipas tij, prisnin që presidenti ukrainas të deklaronte në Beograd se Ukraina do ta njohë Kosovën.
“Ata që presin që Zelenski të thotë në Beograd që do ta njohim Kosovën, duhet të jenë të roitur dhe kanë nevojë të vizitohen për gjendjen e tyre mendore”, shkruan ai.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Spaho përmend territoret e pushtuara ose të kontestuara, si Krimea dhe Donbasi, duke argumentuar se njohja e Kosovës nga Kievi do të mund të përdorej si precedent në një moment kur Ukraina po përpiqet të mbrojë integritetin e saj territorial.
“Ukraina po lufton për territore që janë shkëputur ose po i shkëputen si Krimeja, Donbasi, etj. Pavarësisht ndryshimeve esenciale, sikurse thonë, midis rastit të Kosovës dhe territoreve ukrainase, për të qenë i sinqertë unë nuk shoh ndonjë ndryshim, do ishte vetëvrasje për ta nëse do njihnin Kosovën”, shprehet Spaho.
Në reagimin e tij, ai ndalet edhe te marrëdhëniet e Serbisë me Ukrainën, duke pretenduar se Beogradi i ka ofruar Kievit ndihmë ushtarake përmes vendeve të treta.
“Serbia i jep Ukrainës duke i shitur armë nëpërmjet të tretëve në vlerën 1 miliard euro me dijeninë dhe mbështetjen e plotë të SHBA dhe BE”, shkruan ai.
Spaho ngre më pas një sërë pyetjesh për qëndrimin e vendeve të tjera ndaj Kosovës.
“Po Rusia a e njeh Kosovën? Meqenëse Zelenski nuk e njeh Kosovën, ne shqiptarët duhet të bëhemi me Rusinë? A nuk është Rusia mosnjohësi i parë dhe bllokuesi i përhershëm i Kosovës në Këshillin e Sigurimit në OKB?”, pyet ai.
Ai përmend gjithashtu Palestinën dhe Iranin, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës.
“Po Palestina, për të cilën shumë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri bëjnë be dhe janë gati të japin edhe jetën, a e njeh Kosovën? Po ajatollahët e Iranit nga të cilët nuk ju ndahet shpirti, a e njohin Kosovën?”, vijon reagimi.
Në fund, Spaho kundërshton atë që e konsideron si një reagim të ekzagjeruar të disa shqiptarëve ndaj qëndrimit të Ukrainës.
“Çfarë doni more ‘patriotë’, t’i shpallim luftë SHBA-ve dhe Bashkimit Europian ku ne duam të anëtarësohemi, të cilët janë mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës? A nuk e dinë ata qëndrimin e Ukrainës për Kosovën?”, shkruan ai.
Spaho e mbyll reagimin me një tjetër apel ironik:
“Ftohuni pak o ‘patriotë’ në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, pini një gotë ujë, merrni frymë thellë, vini në punë mendjen dhe pastaj filloni e flisni shatra-patra.”
Në pjesën e fundit të reagimit, ai e lidh këtë debat me reagimet e fundit për konsullatën serbe në Shkodër dhe konsullatën shqiptare në Bujanoc, duke shprehur shqetësimin për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës./ad
