Qeveria e Spanja njoftoi se do të deklasifikojë dokumente që mund të hedhin më shumë dritë mbi tentativën për grusht shteti të vitit 1981, e cila kërcënoi të rrëzonte demokracinë e brishtë të vendit.
Deklasifikimi i dokumenteve është një mënyrë për të shlyer një borxh historik ndaj publikut spanjoll, deklaroi kryeministri Pedro Sánchez në një postim në platformën sociale X.
Dosjet, që pritet të publikohen të mërkurën pas kërkesave të përsëritura për transparencë, mund të ofrojnë informacion të ri mbi rolin e ish-mbretit Juan Carlos I, si dhe mbi përfshirjen e shërbimeve inteligjente dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Megjithatë, shumë dokumente që lidhen me komplotin janë zhdukur, paralajmëroi ish-shefi i shërbimit sekret Alberto Saiz në një intervistë të vitit 2022 për transmetuesin La Sexta.
Në grushtin e dështuar të shtetit, Antonio Tejero – një nënkolonel i Gardës Civile – së bashku me një grup personash të armatosur, sulmuan parlamentin në Madrid.
Ata qëlluan në ajër dhe mbajtën peng ligjvënësit për rreth 17 orë, duke ndërprerë betimin e një qeverie të re me synimin për të rikthyer diktaturën në emër të mbretit.
Komploti dështoi pasi Juan Carlos mbajti një fjalim të drejtpërdrejtë televiziv, duke mbështetur qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rendin kushtetues./MXH
