Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, njoftoi këtë të enjte para ligjvënësve spanjollë se vendi i tij do të rihapë ambasadën në Teheran. Ky vendim vjen në një moment kritik, ndërkohë që vërehet një armëpushim i brishtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas kryediplomatit spanjoll, Madridi zyrtar beson se aktualisht ekziston një “dritare mundësie për paqe” që duhet shfrytëzuar për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Që nga fillimi i konfliktit, Spanja është shfaqur si një nga kritiket më të ashpra të veprimeve ushtarake amerikane në Iran. Ndryshe nga aleatët e tjerë evropianë, qeveria e Madridit ka mbajtur një linjë të prerë:
Spanja i ka ndaluar rreptësisht Uashingtonit përdorimin e bazave ushtarake spanjolle për operacione ofensive kundër Iranit.
Kryeministri Pedro Sánchez i ka cilësuar sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael si “të pamenduara dhe të paligjshme”, duke shtuar se Spanja nuk do të bëhet “bashkëfajtore në diçka që është e dëmshme për botën.”
Vendimi i Madridit për të rikthyer ambasadorin në Teheran ka shkaktuar reagime të menjëhershme dhe të ashpra nga Izraeli. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, akuzoi Spanjën se po ecën “dorë për dore” me një “regjim terrorist”.
Ky zhvillim shënon një krizë të re diplomatike mes Spanjës dhe Izraelit, ndërkohë që Madridi po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një zë i pavarur brenda BE-së dhe NATO-s sa i përket krizës në rajon.
