Instagram ka nisur një proces të gjerë verifikimi dhe pastrimi të llogarive, duke sjellë një rënie të menjëhershme të numrit të ndjekësve për shumë profile të njohura në mbarë botën.
Përdorues të shumtë raportuan se brenda pak orësh u përballën me ulje të ndjeshme të followers-ave, ndërsa fenomeni duket se ka prekur si llogari personale ashtu edhe figura të njohura ndërkombëtare të showbiz-it dhe sportit.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, ndër emrat më të përmendur që kanë pësuar humbje të konsiderueshme ndjekësish janë Kylie Jenner, Cristiano Ronaldo, Taylor Swift dhe anëtarë të grupit BLACKPINK. Në disa raste, rënia llogaritet në miliona ndjekës.
Në rrjetet sociale, veçanërisht në platforma si Reddit dhe X (Twitter), përdorues të shumtë kanë raportuar një model të ngjashëm: ulje të njëkohshme të ndjekësve në shumë profile, duke e lidhur këtë me një “pastrim global” të llogarive joaktive ose të dyshimta.
Sipas sqarimeve të raportuara nga mediat ndërkombëtare, platforma mëmë Meta e konsideron këtë një proces të rregullt mirëmbajtjeje, që synon eliminimin e bot-eve, llogarive spam dhe profileve joaktive.
Ekspertët e rrjeteve sociale theksojnë se një ndërhyrje e tillë mund të ndikojë ndjeshëm te influencerët dhe bizneset që mbështeten në shifra të fryra artificialisht për të rritur ndikimin e tyre online. Në të njëjtën kohë, shumë përdorues e kanë cilësuar këtë si një nga ndërhyrjet më të mëdha të Instagram-it në vitet e fundit.
