Procesi gjyqësor ndaj tre iranianëve të akuzuar për aktivitete spiunazhi në Mbretërinë e Bashkuar për llogari të autoriteteve të vendit të tyre, duke synuar veçanërisht gazetarë për një veprim të dhunshëm, ka nisur të martën në gjykatën e Woolwich në Londër.
Objektivat e tyre ishin dy gazetarë të Iran International, një kanal televiziv në gjuhën perse i cilësuar si “terrorist” nga Teherani dhe që transmeton nga Londra, si dhe bashkëthemeluesi i një organizate avokatësh pro-Izrael, sipas akuzës.
Mostafa Sepahvand, 41 vjeç, Farhad Javadi Manesh, 46 vjeç, dhe Shapoor Qalehali Khani Noori, 57 vjeç, dyshohen se kanë shkuar në adresa të lidhura me objektivat e tyre, kanë bërë foto e video dhe kanë kryer kërkime online për këta persona, mes gushtit 2024 dhe shkurtit 2025.
Të tre burrat, që deklaruan se janë të pafajshëm, dolën para gjykatës të shoqëruar nga përkthyes.
“Ata spiunonin persona që paraqisnin interes për regjimin iranian”, tha prokurori Bill Emlyn Jones.
Personat e synuar nga të pandehurit ishin gazetarët e Iran International, Kambiz Hosseini dhe Mojtaba Pourmohsen, si dhe avokati Jonathan Turner, nga organizata UKLFI.
Sipas akuzës, Mostafa Sepahvand planifikonte të kryente një “sulm të dhunshëm” ndaj të paktën njërit prej objektivave, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë ndihmonin në planifikim.
“Qëllimi i tyre përfundimtar ishte që një ose më shumë nga objektivat të bëheshin viktima të dhunës së rëndë, pa dyshim si hakmarrje për kritikat ndaj regjimit iranian dhe për të heshtur e frikësuar të gjithë ata që guxonin të shprehnin kritika”, tha prokurori.
Mostafa Sepahvand pretendon se ka vepruar i detyruar dhe nga frika, ndërsa dy të tjerët thonë se nuk ishin të vetëdijshëm se veprimet e tyre ndihmonin shërbimet e inteligjencës iraniane, sipas prokurorisë.
Akuza e cilësoi si “të sajuar” mbrojtjen e Sepahvand, duke pohuar se ai shpresonte të merrte para dhe anulimin e një dënimi penal për vjedhje në Iran, në këmbim të aktiviteteve të tij në Londër.
Procesi pritet të zgjasë deri në gjashtë javë./mxh
