Starlink raportohet se ka hequr pagesat mujore të abonimit për përdoruesit brenda Iranit pasi qeveria e vendit ndërpreu internetin të enjten e kaluar, duke i shkëputur miliona njerëz nga familjet, puna dhe qasja në informacion, gjatë një shtypjeje të përgjakshme të protestave.
Teknologjia satelitore është bërë një linjë jetike komunikimi për disa prej atyre që përpiqen t’i tregojnë botës se çfarë po ndodh në terren ditët e fundit.
Dy persona në Iran i thanë BBC Persian se pajisja e tyre funksiononte të martën në mbrëmje edhe pse nuk kishin paguar abonimin. Drejtori i një organizate që ndihmon iranianët të lidhen online gjithashtu i tha BBC Persian se Starlink ishte bërë falas.
Teknologjia satelitore, që i përket kompanisë SpaceX të Elon Musk, ofron internet për dhjetëra mijëra njerëz në Iran, pavarësisht se është e paligjshme atje. Që nga ndërprerja e internetit, ajo është bërë një nga kanalet e fundit, në mos i vetmi, për iranianët që të komunikojnë me botën e jashtme.
Përdorimi i shërbimit në Iran sjell dënim deri në dy vjet burg dhe autoritetet raportohet se po kërkojnë antenat e Starlink për të ndaluar njerëzit të lidhen me internetin.
“Ata po ngjiten nëpër çati dhe po kontrollojnë ndërtesat përreth,” thotë Parsa (ky nuk është emri i tij i vërtetë) i cili foli me BBC Persianduke përdorur një lidhje Starlink.

“Ajo që njerëzit duhet të dinë është se qeveria po kontrollon zonat ku ka dalë shumë material filmik, ndaj duhet të jenë edhe më të kujdesshëm,” shton ai.
Pajisja funksionon si një antenë celulare në hapësirë, duke përdorur një konstelacion satelitësh për të komunikuar me pjata të vogla në tokë që kanë një router WiFi të integruar.
Por pajisja është e kushtueshme dhe përtej mundësive të shumë iranianëve, ndaj fakti që është bërë falas mund të çojë në përdorim më të gjerë.
Duke folur për Al Jazeera TV të hënën, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se interneti ishte ndërprerë “pasi u përballëm me operacione terroriste dhe kuptuam se urdhrat po vinin nga jashtë vendit.”
Agjencia e lajmeve Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), pretendoi se kufizimet e internetit u vendosën për të ndaluar platformat e huaja si WhatsApp dhe Instagram që të përdoren “për të organizuar dhunë dhe trazira.”
Grupet e të drejtave të njeriut e kanë dënuar ndërprerjen totale si abuzim me pushtetin dhe një zëdhënës i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut i tha BBC-së se ndërprerja “ndikon në punën e atyre që dokumentojnë shkeljet e të drejtave të njeriut.”
Deri tani, një grup i të drejtave të njeriut ka konfirmuar vrasjen e mbi 2 mijë e 400 protestuesve gjatë trazirave, si dhe gati 150 personave të lidhur me forcat e sigurisë, megjithëse besohet se shifrat janë shumë më të larta. Megjithatë është e vështirë të vlerësohet shkalla e vërtetë e gjakderdhjes.
Ndërprerja e internetit e ka bërë gjithashtu të vështirë mbledhjen dhe verifikimin e provave për atë që po ndodh në terren.
“Mendoj se shumë njerëz janë të lidhur, por vetëm një numër i vogël po merr rrezikun për të dërguar informacion jashtë,” shpjegon Parsa.
Sipas organizatës së të drejtave të njeriut Witness, të paktën 50 mijë persona po përdorin Starlink për të hyrë në internet.
Mahsa Alimardani, drejtoreshë e asociuar për teknologji, kërcënime dhe mundësi në këtë organizatë, thotë se autoritetet iraniane kanë provuar “të bllokojnë agresivisht” Starlink për të ndaluar qasjen, por nuk kanë pasur sukses. “Prandaj po i konfiskojnë fizikisht pajisjet,” shton ajo.
Por ata që po marrin rrezikun përsipër po bëjnë përpjekje të mëdha. Një burrë që foli për BBC Persian tha se udhëtoi gati 1 mijë km deri në një zonë kufitare për të përdorur rrjetet celulare të vendeve fqinje dhe për të dërguar një video që kishte regjistruar.
Qeveria iraniane ka një histori të gjatë spiunimi ndaj qytetarëve të saj, përfshirë në mënyrë digjitale, për të forcuar kontrollin mbi shoqërinë.
Raportohet se janë përdorur teknika “phishing” për të hakuar telefonat dhe për të hyrë në të dhënat e njerëzve, ndërsa qasja në internetin iranian është kryesisht e kufizuar në një shërbim të brendshëm që imiton një intranet privat.
Qasja në platformat perëndimore si Instagram, WhatsApp dhe Telegram është e bllokuar, që do të thotë se iranianët duhet të përdorin VPN për t’i aksesuar.
Megjithatë, Instagram mbetet një nga platformat më të përdorura në Iran, me rreth 50 milion përdorues.
Edhe pse disa lajme po shpërndahen online, ekspertët thonë se qeveria iraniane synon të kontrollojë narrativën duke kufizuar informacionin që del jashtë.
Ana Diamond, bashkëpunëtore kërkimore në Oxford Disinformation and Extremism Lab, thotë se qeveria po e përdor informacionin si armë duke e kuruar me kujdes.
“Ky material synon më pak të informojë sesa të kushtëzojë; të normalizojë viktimat, sidomos kur qeveria iraniane i quan trazues, duke gërryer rezistencën kolektive dhe duke përgatitur publikun, brenda dhe jashtë Iranit – për përshkallëzime të dhunës që mund të vijnë nëse protestat vazhdojnë,” thotë Diamond.
Pavarësisht rreziqeve, Starlink është bërë i domosdoshëm për shumë iranianë që komunikojnë me botën për atë që po ndodh brenda vendit.
“Nuk dua të mendoj për këtë (të kapem). Mund të jetë shumë frikësuese,” thotë Parsa.
Të martën, forcat e inteligjencës iraniane thanë se kishin sekuestruar një sasi të madhe pajisjesh Starlink, të cilat sipas tyre ishin destinuar për “operacione spiunazhi dhe sabotimi” brenda vendit.
Megjithatë, BBC Persian ka konfirmuar përmes burimeve të shumta në Iran se pajisjet po përdoren nga shumë njerëz që duan të komunikojnë pa censurë.
Parsa paralajmëron se kapja duke përdorur pajisjen nuk është rreziku i vetëm. Nëse iranianët duan të dërgojnë video që shpërndahen ose kapen online, thotë ai,“duhet të kuptojnë se nëse i regjistrojnë nga shtëpia ose nga vendi ku mbahet pajisja, rreziku rritet dhe qeveria mund të identifikojë vendndodhjen.”/kb
