Kryeministri britanik, Keir Starmer rikonfirmoi angazhimin e Britanisë së Madhe ndaj aleatëve evropianë në NATO, në mes të debatit për nivelin e shpenzimeve të vendit për mbrojtjen.
Kryeministri Starmer u takua sot në Downing Street me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku theksoi rëndësinë e rolit të Britanisë së Madhe në aleancë, të cilën e cilësoi si “aleanca ushtarake më e suksesshme që ka njohur ndonjëherë bota”.
Takimi zhvillohet përpara samitit të liderëve të NATO-s, që do të mbahet në Ankara më 7 korrik.
Vendet anëtare pritet të paraqesin planet për rritjen e shpenzimeve bazë për mbrojtjen në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.
Ndërkohë, ish-sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, i cili dha dorëheqjen në fillim të këtij muaji, deklaroi në letrën e dorëheqjes se Britania e Madhe është në rrugë për të shpenzuar vetëm 2,68% të PBB-së për mbrojtjen bazë deri në vitin 2030, duke ngritur dyshime mbi aftësinë e vendit për të përmbushur objektivin e NATO-s.
Sipas Healey, plani i shumëpritur i investimeve në mbrojtje, që pritet të publikohet këtë javë, parashikon vetëm 13,5 miliardë paund shtesë (17,9 miliardë dollarë), shumë më pak se 28 miliardë paundët për katër vjet që kishin kërkuar zyrtarët.
Pas shtrëngimit të duarve me Rutte përpara hyrjes së famshme të Downing Street 10 dhe më pas në sallën “White Room”, Starmer i tha kreut të NATO-s se “ju arritët një sukses të vërtetë vitin e kaluar. Ishte një samit i suksesshëm, me një NATO më të madhe dhe më të fortë, dhe besoj se samiti i këtij viti do të jetë edhe më i suksesshëm”./mxh
