Last Updated on 23/06/2026 by Anisa
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka vendosur në favor të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, duke konstatuar se shkarkimi i tij nga detyra në kuadër të procesit të vettingut ka shkelur nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili garanton respektimin e jetës private dhe familjare.
Në vendimin e saj, Gjykata e Strasburgut vlerësoi se masa e shkarkimit nuk ishte proporcionale në raport me problematikat e konstatuara gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar.
Sipas GJEDNJ-së, çështja e identifikuar lidhej vetëm me pasaktësi në deklarimin e kursimeve familjare për vitet 2011 dhe 2013, dhe jo me ekzistencën e pasurive të pajustifikuara apo burime financiare të paligjshme.
Gentian Osmani ishte shkarkuar nga detyra në vitin 2019 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas ankimit të Komisionerit Publik, i cili kishte kundërshtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që më herët e kishte konfirmuar atë në detyrë.
Osmani ka shërbyer si prokuror në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka qenë gjithashtu pjesë e listës së kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
