Në gatishmëri të shtuar ndodhen forcat e policisë greke pas trazirave në Francë dhe vendet e tjera europiane. Protestat e nesërme të studentëve, nxënësve dhe mësuesve në një ditë kur sindikatat e arsimit të ulët kanë shpallur grevë 24-orëshe, ndërsa ato të shkollave të mesme ndërprerje të punës, kanë vënë në lëvizje edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarit.
Ndërsa policia përgatit masat, studentët nisin protestën që sonte, duke ngritur çadra në sheshin para parlamentit në Athinë dhe në atë të Shën Sofisë në Selanik.
Sipas përfaqësuesve të shoqatave studentore është një protestë për strehimin, për qiratë e larta, për vendet në konvikte që nuk mjaftojnë dhe për faktin se për shumë familje mbajtja e një studenti larg shtëpisë është kthyer në barrë të rëndë.
Nesër, në rrugë dalin bashkë me studentët, nxënësit dhe mësuesit edhe vetë prindërit. Ndërsa mësuesit kanë mes të tjerash kërkesa kryesore rritjen e pagave, plotësimin e vendeve bosh dhe shkolla të sigurta, studentët kërkojnë më shumë financim për universitetet publike dhe ndihmë për strehimin. Protesta janë paralajmëruar edhe në Patra e qytete të tjera.
Policia thotë se do të lejojë qëndrimin me çadra në sheshin Sintagma, por paralajmëron ndërhyrje në rast dhune. Masa mbrojtjeje parashikohen për dyqane dhe ambasada, ndërsa shqyrtohet edhe mbyllja e stacioneve të metrosë në qendër të Athinës dhe Selanikut.
Incidentet e dhunshme dhe protestat në Francë, Itali, Belgjikë dhe Shqipëri kanë sjellë edhe përplasje politike, pasi ka pasur deklarata nga partia e re opozitare Aleanca e Majtë Greke, që kjo valë e protestave ,por në mënyrë paqësore, të mbërrijë edhe në Greqi. Nga ana e saj qeveria nëpërmjet zëdhënësit të saj kërkoi izolimin e atyre që nxisin kaosin.
Gjithashtu socialistët e PASOK-ut kërkuan që veprimet e dhunshme të një pakice të mos përdoren për të njollosur protestat, ndërsa edhe SYRIZA dhe Partia Komuniste bënë thirrje për mobilizime studentore në Greqi, duke theksuar se ato duhet të jenë masive dhe paqësore./ad
