Last Updated on 15/10/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga zyra e Kolegjit të Evropës në Tiranë, e cila u dëmtua gjatë protestës, duke e cilësuar atë si simbol të ngjarjeve të orëve të fundit. Në reagimin e tij, Rama akuzoi opozitën për dhunën dhe shkatërrimet, ndërsa theksoi se studentët janë e ardhmja e vendit dhe se qeveria është e gatshme të ulet me ta për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje.
Reagimi i plotë i Edi Ramës:
“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Evropës, shkollës së Europës së Bashkuar që e çelëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit evropianë të pranishëm këtu në Tiranë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja, studentët janë ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje.
Këto janë të tjera duar, këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë, sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara, me zjarr dhe me hekur kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do të rikthehet kurrë. Kërkon ta rikthejë Shqipërinë në humnerën nga ku e të gjithë së bashku e nxorëm dhe prej ku po e ngjisim drejt majës historike, drejt ëndrrës së të gjithë shqiptarëve në breza: Bashkimit Evropian.
Dhe qëlloi që kjo zyrë e Kolegjit të Evropës, e shkollës së gjeneratës së re të evropianëve, e shkollës së studentëve europianë, të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana dhe Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku ndodhen, panë dhe po shohin në këto orë të vështira. Janë orë të vështira, por janë orë të cilat do t’i kalojmë të gjithë së bashku, se dhe Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, sepse Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e saj për Europën e të gjithë studentëve të saj, e të gjithë vajzave dhe djemve të saj, dhe kurrë më nuk do të bjerë në ato duar që e kanë kapur për fyti dhe e kanë zhytur thellë e më thellë opozitën shqiptare, por nuk mundet dot ta kapim për fyti Shqipërinë.Dhe kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit dhe gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë, sigurisht që do të paguajë, do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas, shqiptarët kurrë më nuk do të jenë pengjet e së shkuarës. Dhe e kaluara që u rikthye në verbërinë e saj këto orë në qendër të Tiranës, si një fantazmë që përpiqet të bëjë atë që ka bërë gjithnjë, sa herë shqiptarët kanë dashur të ngrenë kokën, do të mbetet e kaluar. E ardhmja është e studentëve, e ardhmja është e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.”/ad
