Një bakter i zakonshëm që shkakton sëmundjet e mishrave të dhëmbëve mund të nxisë grumbullimin e rrezikshëm të kalciumit në zemër, sipas një studimi të ri.
Gjetjet paraprake, të prezantuara në American Heart Association 2026, zbulojnë një lidhje të fortë mes sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve dhe stenozës kalcifike të valvulës aortale (CAVS), një sëmundje serioze që ngushton valvulën aortale të zemrës dhe pengon rrjedhjen normale të gjakut.
Shkencëtarët zbuluan se bakteri Porphyromonas gingivalis, i njohur si një nga shkaktarët kryesorë të inflamacionit të mishrave të dhëmbëve, ishte dukshëm më i pranishëm në valvulat e sëmura të zemrës. Duke analizuar mostra të indeve njerëzore dhe duke kryer eksperimente te minjtë, studiuesit vërtetuan se ky bakter aktivizon një reagim të veçantë inflamator që përshpejton grumbullimin e kalciumit në valvulat e zemrës.
Aktualisht nuk ekzistojnë ilaçe të miratuara që ndalojnë ose kthejnë mbrapsht përparimin e stenozës kalcifike të valvulës aortale, ndaj në shumë raste zëvendësimi kirurgjikal i valvulës mbetet alternativa e vetme. Megjithatë, ky zbulim mund të hapë rrugën për metoda të reja parandaluese. Në modelet shtazore, bllokimi i rrugës inflamatore të aktivizuar nga bakteri ose përdorimi i antibiotikëve parandalues uli ndjeshëm grumbullimin e kalciumit.
Edhe pse provat klinike te njerëzit janë ende në vazhdim, ekspertët theksojnë se ruajtja e një higjiene të mirë orale dhe trajtimi i hershëm i sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve mund të jenë një mënyrë e rëndësishme për të ulur rrezikun e komplikacioneve serioze kardiovaskulare./ad
