Një tornado e fuqishme ka goditur shtetin amerikan të Miçiganit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe viktima. Stuhia përfshiu veçanërisht qytetin e Union City, ku u raportua shkatërrimi i disa banesave dhe shkulja e shumë pemëve nga forca e erërave.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momente paniku, ku banorët kërkojnë me nxitim strehim brenda ndërtesave për t’i shpëtuar tornados.
Ndërkohë, një tjetër tornado u raportua edhe në qytetin e Three Rivers, ku copa të mëdha mbeturinash dhe pluhuri u panë duke u ngritur në ajër dhe duke fluturuar mbi një parking makinash.
Sipas autoriteteve lokale, moti i ashpër ka shkaktuar humbje jete dhe të plagosur. Deri më tani raportohet se të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur./MXH
