Moskë është përfshirë nga ajo që pritet të jetë reshja më e madhe e borës për këtë dimër, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim, vonesa në fluturime dhe probleme në jetën e përditshme të qytetarëve.
Këmbësorët u panë duke ecur me vështirësi në trotuare të mbuluara nga dëbora, ndërsa trafiku rrugor ishte i rënduar për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Sipas parashikimeve, sasia e borës që pritet të bjerë gjatë së enjtes dhe në orët e para të së premtes do të përbëjë gati dy të tretat e mesatares mujore të shkurtit.
Pavarësisht kushteve të ashpra, aeroportet e Moskës vijuan operimin. Autoritetet e aviacionit raportuan se 19 fluturime janë anuluar dhe mbi 100 të tjera janë shtyrë.
Stuhia e borës, e quajtur “Walle” nga mediat dhe meteorologët lokalë, në referencë me filmin e vitit 2008 të Disney dhe Pixar, pritet të dobësohet deri të premten në mëngjes.
Ky dimër në Moskë, i karakterizuar nga reshje të dendura bore dhe temperatura që kanë zbritur deri në minus 25 gradë Celsius, paraqet një kontrast të fortë me dimrin e kaluar, i cili ishte një nga më të ngrohtit e regjistruar ndonjëherë. Sipas një studimi të Universitetit Shtetëror të Moskës, janari i vitit 2026 ka shënuar reshjet më të mëdha të borës në 203 vitet e fundit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në lëvizje, ndërsa shërbimet emergjente mbeten në gatishmëri për përballimin e situatës./mxh
