Punonjësit e sektorit energjetik në Ukrainë vijojnë punën mes rrënojave në një central energjetik të rëndë të dëmtuar nga një sulm i fundit rus. Të hënën, më 9 shkurt, ata thanë se goditja ishte më e fuqishme se sulmet e mëparshme, duke shkatërruar pjesë të mëdha të impiantit dhe duke e bërë të pamundur vlerësimin e plotë të dëmeve.
Sipas inxhinierëve në terren, disa zona të centralit mbeten ende të paarritshme për shkak të shembjeve dhe rrezikut nga dëmtime të tjera strukturore. Ekipet po punojnë për pastrimin e rrënojave, ndërsa procesi i vlerësimit të dëmeve vijon me vështirësi.
Volodymyr, drejtues i sektorit të turbinave në central, deklaroi se goditja e fundit ishte dukshëm më e fortë se sulmet e mëparshme që kishin ndodhur gjatë ndërrimeve të tij. Ai tha se po kryhen verifikime për të përcaktuar shkallën reale të shkatërrimit.
Nga ana tjetër, Vasyl, përgjegjës i një ndërrimi në central, i cilësoi sulmet e përsëritura si akte terrori, duke theksuar se punonjësit vazhdojnë detyrën pavarësisht vështirësive personale. Ai tregoi se djali i tij ndodhet në front që nga dita e parë e luftës dhe se ndjen përgjegjësi të dyfishtë për të siguruar energji për familjet ukrainase.
“Kam një mbesë të vogël që ka nevojë për energji elektrike. Meqë babai i saj është në luftë, unë duhet ta zëvendësoj”, u shpreh ai.
Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike rrezikojnë furnizimin me energji për miliona qytetarë, ndërsa ekipet teknike vijojnë përpjekjet për rikthimin e shërbimit në kushte ekstreme./mxh
