Harry Styles ka një tjetër surprizë për fansat e tij. Ylli britanik ka konfirmuar zgjatjen e turneut botëror “Together, Together” edhe në vitin 2027, me plot 25 koncerte të reja në stadiume në SHBA dhe Europë.
Lajmin e kishte paralajmëruar fillimisht përmes një postimi misterioz në Instagram, ku shkroi vetëm: “2027. Nesër”. Pak më vonë, në një mesazh drejtuar fansave, Styles konfirmoi datat e reja dhe foli për lidhjen e veçantë që ka krijuar me publikun.
Turneu i ri do të nisë më 2 prill 2027 në Phoenix dhe do të përfshijë qytete si Dallas, Los Angeles, Toronto, Atlanta, Chicago, Berlin, Paris, Madrid, Romë dhe Dublin, përpara se të mbyllet me tri koncerte në Wembley të Londrës.
Në lidhje me vendimin për të vijuar turneun, Styles është shprehur se publiku e kishte kthyer atë që priste të ishte një eksperiencë speciale në diçka shumë më të madhe nga sa kishte imagjinuar.
“Më pëlqen të bëj muzikë, më pëlqen të jem me ju dhe të jem pjesë e dashurisë dhe gëzimit që krijoni çdo natë”, pohoi Styles në mesazhin e tij për fansat.
Artisti pranoi se vendimi për të vazhduar në 2027 fillimisht e kishte trembur, por shtoi se ndihet njeriu më me fat në botë që vazhdon t’i ndajë këto momente me fansat.
Harry Styles u bë i famshëm si pjesë e One Direction, ndërsa në vitin 2016 nisi karrierën solo. Që prej atëherë, ai është shndërruar në një prej emrave më të mëdhenj të muzikës pop./mxh
