Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u takua këtë të hënë në Gjenevë me kreun e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, në prag të raundit të ri të bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për programin bërthamor të Teheranit.
Takimi vjen në një klimë tensionesh në rritje, ndërsa anije luftarake amerikane janë dislokuar në Lindjen e Mesme. Më herët këtë muaj, palët zhvilluan bisedime indirekte në Oman, në përpjekje për të zbutur përplasjet mbi programin bërthamor iranian dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Grossi bëri të ditur se kishte përfunduar diskutime të thelluara teknike me ministrin iranian në përgatitje të negociatave të rëndësishme të planifikuara në Gjenevë.
Uashingtoni ka sinjalizuar se dëshiron ta zgjerojë fushën e negociatave edhe për çështje jo-bërthamore, si programi i raketave balistike të Iranit. Por Teherani zyrtar ka theksuar se është i gatshëm të diskutojë vetëm kufizime mbi programin e tij bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve, duke përjashtuar çdo marrëveshje që parashikon ndalimin total të pasurimit të uraniumit.
Ndërkohë, International Atomic Energy Agency ka kërkuar prej muajsh sqarime nga Irani mbi fatin e rreth 440 kilogramëve uranium të pasuruar në nivele të larta, pas sulmeve izraelito-amerikane. Agjencia kërkon gjithashtu rifillimin e plotë të inspektimeve, përfshirë në tre objekte kyçe që u bombarduan vitin e kaluar: Natanz, Fordow dhe Isfahan.
Edhe Izraeli ka shtuar presionin diplomatik. Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump që çdo marrëveshje me Iranin të përfshijë çmontimin e plotë të infrastrukturës bërthamore iraniane, dhe jo vetëm ndalimin e procesit të pasurimit.
Bisedimet në Gjenevë pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e marrëveshjes bërthamore dhe stabilitetin në rajon./mxh
