Last Updated on 08/04/2026 by EL
Armëpushimi i brishtë mes Amerikës dhe Iranit po mban. Presidenti Donald Trump, përmes Truth Social, bëri të ditur detaje të reja lidhur me pajtimin e arritur mes palëve për të negociuar një marrëveshje për paqe.
“Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë ngushtë me Iranin, për të cilin kemi përcaktuar se ka kaluar nëpër atë që do të jetë një ndryshim shumë produktiv i regjimit! Nuk do të ketë pasurim të uraniumit dhe Shtetet e Bashkuara, duke bashkëpunuar me Iranin, do të gërmojnë dhe heqin të gjithë ‘pluhurin’ bërthamor të varrosur thellë (nga bombarduesit B-2)”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan shtoi më tej se gjithçka në Iran ka qenë nën mbikëqyrje shumë të rreptë satelitore dhe sipas tij, asgjë nuk është prekur që nga data e sulmit, qershorin e kaluar. Trump bëri me dije gjithashtu se Uashingtoni dhe Teherani po flasin për lehtësimin e tarifave dhe sanksioneve. Ai pohon se Irani është pajtuar tashmë për shumë nga 15 pikat e planit të tij, por lëshon një paralajmërim.
“Një vend që furnizon Iranin me armë ushtarake do të tarifohet menjëherë me 50% për çdo mall të shitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do të ketë përjashtime!”, shkroi Trump.
Ministri i Jashtëm i Iranit tha se ushtria e vendit të tij do të koordinojë kalimin e anijeve nëpër Ngushticën kritike të Hormuzit gjatë armëpushimit. Trump tha se rihapja e ngushticës ishte një kusht kyç i marrëveshjes për uljen e armëve. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, tashmë ka nisur qarkullimi disi normal në Ngushticën e Hormuzit.
Pakistani, që ka ndërmjetësuar gjatë gjithë kohës, po përgatit një takim mes delegacionit Amerikan me atë të Iranit. Përfaqësues pritet të jenë i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhëndri i tij Jared Kushner dhe zëvendëspresidenti JD Vance, ndërsa për Iranin, pritet të jetë kryetari i parlamentit./et
