Last Updated on 13/10/2026 by EL
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar sërish për protestën e zhvilluar sot para Ministrisë së Arsimit, duke publikuar një fotografi nga Rruga e Durrësit, ku shihen trotuare të dëmtuara dhe tulla të shpërndara në rrugë.
Sipas Ballës, tullat janë shkëputur nga trotuaret dhe janë përdorur nga protestuesit për t’i hedhur drejt efektivëve të Policisë dhe institucioneve shtetërore. Përmes reagimit të tij, deputeti ka akuzuar organizatorët e protestës për nxitjen e akteve të dhunës.
“Shikojeni mirë këtë foto. Nuk janë librat e studentëve, janë gurët e mercenarëve të Saliut bashkë me sorrat e palo-protestës”, shkruan Balla, duke shoqëruar reagimin me fotografinë e publikuar në rrjetet sociale.
Protesta nisi në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, ku u mblodhën të rinj nga fakultete të ndryshme të Tiranës, si dhe gjimnazistë që iu bashkuan tubimit pas përfundimit të mësimit.
Gjatë orëve në vijim, situata u tensionua, me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, ndërsa u raportuan edhe dëmtime dhe zjarre në disa pika të kryeqytetit.et
