Taylor Swift dhe Travis Kelce thuhet se i kanë dhënë fund beqarisë në një ceremoni sekrete, larg syrit të publikut, ndërsa sot pritet të organizojnë një festë private me familjarë dhe miq të ngushtë në New York.
Sipas raportimeve, ceremonia private mund të jetë zhvilluar në Tennessee, shteti ku Taylor Swift u transferua në moshën 14-vjeçare për të ndjekur ëndrrën e saj në muzikë.
Dyshimet janë forcuar edhe nga lëvizjet e avionit privat të këngëtares. Sipas një platforme që monitoron fluturimet e avionëve privatë, avioni i Swift ka bërë ndalesa në disa qytete ku jetojnë familjarët e çiftit. Pas nisjes nga Nashville, ai ka fluturuar drejt Filadelfias, ku jetojnë babai i Travis Kelce, si dhe vëllai i tij Jason Kelce me bashkëshorten Kylie. Më pas avioni është nisur drejt Tampa, Florida, ku banon babai i Taylor Swift, përpara se të rikthehej në Nashville dhe më pas në New York më 30 qershor.
Page Six raporton gjithashtu se Madison Square Garden është përgatitur për një festë luksoze, ku pritet të performojnë artistë të njohur si Stevie Nicks, Kenny Chesney dhe Ed Sheeran. Ndër të ftuarit VIP, sipas të njëjtit burim, pritet të jetë edhe legjenda e muzikës, Paul McCartney.
Ambienti thuhet se është transformuar posaçërisht për këtë event, duke përfshirë edhe një kopsht të ndërtuar brenda hapësirës, ndërsa menuja do të përbëhet nga gatime të restoranteve të preferuara të Taylor Swift.
Megjithatë, deri në këtë moment, as Taylor Swift dhe as Travis Kelce nuk kanë konfirmuar publikisht raportimet për martesën e tyre, ndaj lajmi mbetet ende në nivel spekulimesh./ad
