Kërpudha “lion’s mane”, rrënja e makës, përzierje kolagjeni: ka shpërthyer një ethe ari për menopauzën në kufirin e egër të rrjeteve sociale.
Nga Viv Groskop
Një grua arrin në një moshë të caktuar dhe e vetmja gjë që dëshiron është të lihet rehat. Por s’ka shanse. Duke shkruar në revistën mjekësore Post Reproductive Health, një grup akademikësh paralajmëroi këtë javë për një “ethe ari të menopauzës” që po i lë gratë të pambrojtura ndaj shfrytëzimit financiar, dezinformimit dhe, sinqerisht, një orteku reklamor që të bën të djersitesh. Shumë nga kjo veprimtari është nxitur nga – e keni marrë me mend – rrjetet sociale. Një pjesëmarrëse në studim u tha studiuesve: “Gjithçka që di për menopauzën e kam mësuar në Instagram nga gra të tjera.” Si çdo ethe ari, edhe kjo është e vetmja që s’do të doje ta shihje dramatizuar në një film hollywoodian: “Shpejt, Bianca, aktivizo analizën algoritmike të fushatës për suplementin me vitaminë B6!”
Studiuesit paralajmëruan për “zgjerimin e shpejtë të kompanive private dhe individëve të paregulluar që ofrojnë informacion dhe mbështetje për menopauzën me qëllim fitimi”. Kështu që, në vend që të flasim për trajtimin dhe menaxhimin e menopauzës, tani flasim për mënyrën se si të përballojmë një sëmundje po aq të dëmshme dhe pa kurë: komercializimin e gjithanshëm të menopauzës.
Ndërsa një pakicë me fat mund ta kalojë menopauzën natyrale pa simptoma, “meno-marketingu” – një gjendje krejtësisht e fabrikuar – ka gjasa të prekë 100% të popullsisë së rritur. Kjo është vetëm një përllogaritje personale. Por, me ose pa algoritëm, më duket e pabesueshme që edhe burrat t’u kenë shpëtuar reklamave të Instagramit për pilula për fshikëzën, suplemente vitaminash, smoothie “shëndetësore”, xhelra qetësues, përzierje kolagjeni dhe produkte kozmetike – të gjitha të formuluara me mendje te menopauza dhe të promovuara plot hare nga të famshëm që ndiqen nga njerëz të të gjitha moshave e gjinive. “Po vjen Krishtlindja – pse të mos i bësh një dhuratë mamit?”
S’dua t’ia prish kujt terapinë me blerje. Dhe nëse rrënja e makës, ashwagandha apo kërpudha “lion’s mane” (të gjitha të propozuara për menopauzën) janë “helmi” yt dhe i konsumon me sy hapur, urime! Por a duhet vërtet të kemi kaq shumë produkte me emra ekzotikë që na shiten pareshtur si zgjidhja e lehtë për një çështje kaq komplekse e pak të studiuar?
Do të kishte me siguri një reagim nëse dikush do të përshkruante buzëkuqin si ndihmë të domosdoshme për menopauzën. (Për përdorim të jashtëm. Edhe pse, sinqerisht, ka ditë që do të haja gjithçka.) Por më ka shkuar ndër mend që efekti përmirësues i humorit që sjell buzëkuqi mund të jetë po aq i rëndësishëm sa çdo placebo mjekësor. Dhe me siguri është më i lirë dhe më i besueshëm se shumë nga “kurimet” për menopauzën që ofrohen në treg. Madje u binda aq shumë për këtë ide fitimprurëse, sa kërkova të shihja nëse dikush tjetër e kishte menduar më parë. Dhe, ja ku e ke, tashmë ekzistojnë disa marka balsami për buzët që shiten si produkte për “menaxhimin e menopauzës”.
Problemi më i madh me menopauzën është se ka rreth 13 milionë gra në Mbretërinë e Bashkuar që e përjetojnë në çdo moment. Dhe fakti që po kuptohet ngadalë se këto gra kanë qenë të nënvlerësuara pas shekujsh demonizimi të plakjes femërore, për fat të keq përkon me kulmin e kapitalizmit agresiv. Dëshira për të shtrydhur tregun ka zëvendësuar nevojën për edukim publik.
Nuk do të më shqetësonte nëse kjo s’do të ishte kaq marrëzisht e tejdukshme. Sepse, sa i përket ndarjes së tregut, kjo është ndoshta pjesa më pak “niche” që mund të ekzistojë. Si mund të përfitojnë 13 milionë njerëz nga të njëjtat produkte në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë? E vërteta është: s’mund të ndodhë. Por algoritmi s’e ka problem këtë.
Fakti i pakëndshëm është që menopauza – njësoj si menstruacionet dhe lindja e fëmijës – nuk është një përvojë universale. Disa gra s’e vënë re fare; të tjera ndihen aq keq sa mendojnë se jeta nuk ia vlen më – një në dhjetë gra në këtë grup kanë mendime vetëvrasëse. Të tjerat janë diku në mes, me ndonjë kombinim prej mbi 100 simptomash të dokumentuara. Asnjë përvojë nuk është e njëjtë me tjetrën. Me pak fjalë, ky grup është aq i paqartë dhe i pafund sa bëhet ëndrra e çdo tregtari.
Ndoshta gjithë kjo do të ishte më pak irrituese sikur – siç rekomanduan akademikët – të kishte një fushatë serioze informimi për simptomat, trajtimet dhe pritshmëritë. Aktualisht, shumica e njerëzve dinë më shumë për pilulën kontraceptive sesa për terapinë e zëvendësimit hormonal (HRT). Është mjaft e qartë kush përfiton nga kjo gjendje, dhe sigurisht që nuk janë gratë në menopauzë.
Na duhet një mes i lumtur në këtë botë të menopauzës – ku ajo të mos jetë as temë e pandërprerë marketingu, as tabu që fshihet me turp. Nga një kohë kur fjala mezi shqiptohej, kemi mbërritur në një epokë kur vështirë të gjesh një podcast që nuk diskuton për xhelin me testosteron. Ironikisht, nuk jam e sigurt se jemi më të informuara për menopauzën, HRT-në apo ciklin hormonal se 20 vjet më parë. Dhe blerja e ekuivalentit digjital të një lopate – artikulli më fitimprurës në ethet e arit origjinale – nuk do të përmirësojë asgjë.
*Viv Groskop është komediane dhe autore librash/ Përgatiti për botim: L.Veizi
