A ju ka nxitur ndonjëherë kureshtja se si reagon trupi ynë kur djersa thahet nën ajrin e ftohtë, dhe cila është armata imunitare që përfshihet në këtë fushëbetejë të ashpër?
Për një kohë të gjatë, ideja se “nëse rri në korrent ose ekspozohesh i djersitur në të ftohtë do të ftohesh e do të sëmuresh” është konsideruar si një “mit i gjysheve” nga një pjesë e mirë e mjekësisë perëndimore. Argumenti i tyre ishte i thjeshtë: sëmundjet i shkaktojnë viruset dhe bakteret, jo i ftohti.
Megjithatë, dekadat e fundit dhe studimet e avancuara në imunofiziologji kanë vërtetuar se gjyshet tona kishin plotësisht të drejtë. I ftohti në vetvete nuk përmban viruse, por ai krijon kushtet perfekte që viruset ekzistuese të na pushtojnë.
Kur jemi të djersitur, lëkura jonë është e mbuluar me një shtresë uji. Uji ka një kapacitet termik dhe një nxehtësi latente të avullimit jashtëzakonisht të lartë.
Kur ekspozohemi papritur në ajër të ftohtë apo në korrent, ndodh një kalim fizik i shpejtë, avullimi i detyruar. Ajri që lëviz rrit shpejtësinë e avullimit të lagështisë mbi lëkurë, duke e shndërruar atë nga lëng në gaz. Por edhe vjedhja e nxehtësisë. Avullimi është një proces që kërkon sasi të mëdha energjie. Për t’u kryer, ai tërheq nxehtësinë e brendshme direkt nga lëkura jonë, duke shkaktuar një rënie të mprehtë dhe të shpejtë të temperaturës lokale. Ky fenomen njihet si shok termik lokal.
Si reagim ndaj kësaj rënieje të shpejtë të temperaturës, trupi aktivizon sistemin nervor simpatik për të ruajtur nxehtësinë në organet jetësore. Kjo nxit vazokonstruksionin periferik, ngushtimin e fortë të enëve të gjakut në lëkurë dhe në mukozën e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes (hundë dhe fyt).
Pse ka rëndësi ky furnizim i reduktuar me gjak?
Gjaku është rruga kryesore nëpër të cilën udhëton armata jonë mbrojtëse, qelizat e bardha të gjakut (neutrofilet, makrofagët, limfocitet) dhe antitrupat që bëjnë rolin e “patrullës” kufitare. Kur enët e gjakut ngushtohen dhe qarkullimi lokal ulet, kjo zonë mbetet përkohësisht “pa roje” dhe mbikëqyrja imunitare dobësohet.
Një studim i famshëm i Universitetit të Yale, i publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), tregoi saktësisht se si temperaturat e ulëta sabotojnë mbrojtjen tonë në nivel qelizor përmes dy mekanizmave kryesorë.
Bllokimi i Interferonit. Kur një qelizë infektohet nga një virus, ajo prodhon një proteinë alarmuese të quajtur Interferon, e cila udhëzon qelizat fqinje të bllokojnë replikimin e virusit. Nën temperaturat e ulëta, prodhimi dhe efikasiteti i interferonit bie ndjeshëm.
Paraliza Ciliare. Rrugët tona të frymëmarrjes janë të veshura me “qerpikë” mikroskopikë (cilia) që lëvizin vazhdimisht për të shtyrë pluhurin dhe viruset jashtë mushkërive. Ekspozimi ndaj të ftohtit dhe tharja e mukozës i paralizon përkohësisht këto cilia, duke bërë që viruset të ngjiten pas mukozës dhe të depërtojnë lehtësisht brenda qelizave.
Një virus nuk bëhet i fuqishëm brenda një çasti. Ai ka nevojë për një rrugë kalimi, një terren të përshtatshëm dhe një dritare kohore me rezistencë të ulur.
Kjo dobësi e përkohshme krijuar nga shoku termik shërben si ftesë e hapur për dy lloj kërcënimesh.
Viruse që ndodhen tashmë të fjetura në trupin tonë, siç është Herpes Simplex Virus 1 (HSV-1). Ai qëndron i fshehur në ganglionet nervore të fytyrës nën kontrollin e qelizave T. Sapo mbikëqyrja imunitare bie, virusi merr dritën jeshile, udhëton përgjatë nervit drejt lëkurës së buzës dhe fillon replikimin e shpejtë.
Viruse të frymëmarrjes të marra rishtazi nga mjedisi rrethues.
Sapo sistemi imunitar stabilizohet dhe rikthehet në funksionin e tij normal, ai e dikton këtë aktivitet viral dhe nis një kundërsulm të ashpër. Ky konflikt midis replikimit të virusit dhe përgjigjes imunitare prodhon simptomat e njohura: dhimbje fyti, bllokim të hundëve, lodhje ose shfaqjen e herpeseve në buzë.
Për të parandaluar këtë dritare të rrezikshme ku sistemi imunitar mbetet i pambrojtur, mjekësia rekomandon disa hapa të thjeshtë por jetikë:
Diferenca midis temperaturës së jashtme dhe asaj të brendshme (me kondicioner) nuk duhet të jetë asnjëherë më e madhe se 6 deri në 8 gradë. Nëse vini të djersitur nga nxehtësia, qëndroni disa minuta në një zonë të ndërmjetme (hije apo korridor) përpara se të hyni në një dhomë shumë të ftohtë.
Sigurohuni që rrymat e ajrit të ftohtë (nga ventilatorët, kondicionerët ose dritaret e hapura të makinës) të mos godasin direkt qafën, shpinën dhe gjoksin tuaj.
Nëse jeni qull në djersë, fshihuni menjëherë me një peshqir të qëndrueshëm dhe ndërroni rrobat e lagura me rroba të thata pambuku përpara se të ekspozoheni ndaj të ftohtit. Pambuku lejon lëkurën të marrë frymë pa e bllokuar lagështinë pas trupit.
Shmangni pirjen e ujit me akull kur jeni shumë të nxehtë, pasi kjo shkakton shok termik lokal direkt në fyt (faring). Konsumoni ujë në temperaturë dhome.
Lajeni hundën me solucion fiziologjik (ujë me kripë) për të mbajtur mukozën të hidratuar dhe të mbrojtur nga tharja e kondicionerit. Gjithashtu, marrja e Vitaminës C dhe Zinkut ndihmon në mbajtjen aktive të makrofagëve dhe neutrofileve në çdo kohë./ kb
