Last Updated on 18/04/2026 by Anisa
Të paktën pesë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën pas një sulmi të armatosur në lagjen Holosiivskyi të Kiev, ku një person i armatosur hapi zjarr ndaj kalimtarëve dhe më pas u barrikadua në një supermarket duke marrë pengje.
Sipas autoriteteve, pas një mobilizimi të madh, forcat speciale të policisë ukrainase ndërhynë për neutralizimin e autorit. Ministri i Brendshëm Ihor Klimenko konfirmoi se efektivët hynë në ambientet e dyqanit dhe sulmuesi u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Më herët, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, kishte bërë të ditur se të paktën dy persona kishin humbur jetën dhe rreth dhjetë të tjerë ishin plagosur, mes tyre edhe një fëmijë. Të plagosurit u transportuan në spitalet e qytetit, ndërsa disa morën ndihmën e parë në vendngjarje.
Gjatë operacionit, autori kishte qëlluar edhe ndaj forcave të rendit, ndërkohë që më parë ishin bërë përpjekje për negociata. Sipas raportimeve, ai kishte marrë pengje brenda supermarketit, duke rritur tensionin dhe panikun në zonë.
Mediat lokale raportojnë se para sulmit, autori i kishte vënë flakën apartamentit ku jetonte, ndërsa një roje sigurie në dyqan mbeti i plagosur gjatë incidentit.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë, ndërsa autoritetet kujtojnë edhe një incident të fundit në qytetin Odessa, ku një person i armatosur kishte hapur zjarr ndaj kalimtarëve, pa shkaktuar viktima.
