Një studim i ri tregon se edhe shtresat më të varfra të Evropës kanë jetëgjatësi më të madhe se amerikanët më të pasur.
Ëndrra amerikane se pasuria mund të sigurojë një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme po përballet me një realitet të hidhur. Edhe njerëzit në majën e piramidës ekonomike në SHBA nuk arrijnë t’i shpëtojnë problemeve të përgjithshme shëndetësore të vendit.
Sëmundjet kronike më të përhapura, kostot e larta të kujdesit shëndetësor, orët e gjata të punës dhe stresi i përditshëm po ndikojnë në jetëgjatësinë e amerikanëve.
Një studim i publikuar në revistën prestigjioze “New England Journal of Medicine” analizoi të dhënat e më shumë se 73 mijë të moshuarve në SHBA dhe Evropë për një periudhë 10-vjeçare.
Rezultatet ishin befasuese: në çdo nivel pasurie, amerikanët kishin një jetëgjatësi më të ulët se bashkëmoshatarët e tyre evropianë.
Më tronditëse është se 25% e amerikanëve më të pasur kanë norma mbijetese të ngjashme me 25%-shin më të varfër të banorëve në vende të Evropës Veriore dhe Perëndimore, si Gjermania, Franca dhe Holanda.
Studiuesit thonë se diferenca e madhe në jetëgjatësi lidhet me faktorë strukturorë në SHBA, si mungesa e një sistemi universal shëndetësor, rrjetet më të dobëta të mbështetjes sociale dhe infrastruktura publike më pak e zhvilluar krahasuar me shumë vende evropiane.
Edhe pse pasuria zakonisht lidhet me shëndet më të mirë, në Shtetet e Bashkuara ky avantazh duket se nuk mjafton për të kompensuar problemet e sistemit./ad
